
Në seancën e kaluar, në diskutimet jashtë rendit të ditës, ishin regjistruar për të folur vetëm 2 deputetë, një nga të cilët isha unë dhe nuk më duket e drejtë që vetëm mua nuk m’u dha fjala. Sjellja juaj nuk ishte aspak korrekte, kur une disa herë kërkova fjalën për procedure, siç parashikon rregullorja e Kuvendit, por nuk ma dhatë asnjëherë fjalën. Sjellje të tilla, fatkeqësisht, nuk janë për herë të parë nga ana juaj.
A mos duhet të bërtasim e të ngremë zërin, që të na jepet e drejta të flasim në emër të atyre që përfaqësojmë në këtë sallë? Gjoja “Kursimi” prej 5 minutash i fjalës time, më duket se nuk rezultoi i suksesshëm, pasi me zgjatjen e “qit e prit” të kryeministrit, fjala e tij arriti në 45 minuta.
Gjatë kësaj fjale, ai tregoi në sytë e shkodranëve e shqiptarëve edhe njehere se po plotësonte amanetin e diktatorit Enver Hoxha, po merrte hakun ndaj Shkodrës duke e lënë “symbyllur, veshmbyllur, dhe maezallah se marrin vesh”.
Shkodra nuk harron!
“Ditët e qendresës”, jo rastësisht fillojnë në Shkodër me 20 maj, në memorialin e vendosuar pranë bashkisë Shkodër, që pasqyron vuajtjet, vrasjet e internimet e intelektualeve, klerikëve, të rinjve, burrave e grave, nënave e familjeve tona, 2890 të burgosur, 1924 të internuar, 601 të pushkatuar, 61 klerikë, 136 të vdekur në tortura e qindra të vrarë, që nuk i dihet as varri.
“Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës” është një vend që përkujton torturat dhe viktimat që vuajtën në qelitë e paraburgimit të ish- Degës së Brendshme të Shkodrës.
Ju vazhdoni t’ia merrni hakun Shkodrës për qëndresën e saj dhe kjo duket në mungesën e investimeve, në mos ndërtimin e rrugës që e lidh me Tiranën, duke e penalizuar me turizmin, në kufizimin e lëvizjes së qytetarëve kosovarë, në mungesën e kompensimit të dëmeveve të përmbytjeve, në vazhdimësinë e përmbytjeve nga kaskada e Drinit, përderisa mungojnë investimet në infrastrukturën mbrojtëse dhe shkarkuese.
Në një kohë që e ka bekue Zoti me pasuri natyrore, alpe, lumenj, liqen, det, energji elektrike e prodhuar nga hidrocentralet, duke kontribuar me përqindje të lartë në Prodhimin e Brendshem Bruto, por duke mos marrë asgjë, a thu se shkodranët nuk janë qytetarë të këtij vendi.
E vertetë që Shkodra nuk merr vesh dhe nuk nënshtrohet, por qendron ashtu si gjatë sundimit otoman, malazez, komunist dhe neokomunist. Dhe do të qendrojë si gjithmonë e paepur! /Fjala e deputetes Emilia KOLIQI në seancën plenare të ditës së sotme të Kuvendit/
Për bashkëpunime, publikime reklamash, njoftimesh në ShkodraWeb, mund të shkruani në SMS, Whatsapp, Viber +355 67 300 20 70 ose mail: info@shkodraweb.com në çdo kohë!