Çelja zyrtarisht e sezonit turistik në Sarandë, Vlorë, Durrës e deri në Dibër etj., nis me promovimin e çdo cope toke të bashkive në fjalë. Aktivitete nga ma të ndryshmet, ftesa dhe pjesëmarrje e turistëve të huaj, ekspozim të monumenteve dhe vlerave historike- kulturore të qyteteve, ngjitje në ato pak bjeshkë që kanë, hedhje me parashuta, zipline, rafting, sporte ujore, gara me kuaj, foto, video, rrëfime të eksperiencave nga vizitorët e huaj, gatimet tradicionale të zonës dhe ne fund pak muzikë. Pra, një shpalosje e potencialit turistik që kanë por edhe ato të cilët nuk i kanë por turistit ia shpalosin.
Ndërkohë bashkia e Shkodrës, Malësisë së Madhe, Vau- Dejësit, Pukës, Tropojës e deri në Kukës, me një pafundësi resursesh. Me det, lumenj e liqene pa fund, male, fusha, kodra, bjeshkë e alpe që ia ka zili e gjithë bota; me trashëgimi materiale, natyrore dhe shpirtërore, sezonin turistik e hapin me dy tavolina me byrek, gjizë dhe pilaf dhe me një koncert me kangë të vjedhuna nepër Ballkan.
Prioritet absolut, ka promovimi i drejtorëve, deputetëve dhe zëvendësministrave nga Tirana (sepse ministrat nuk u vijnë) dhe gjithçka mbyllet me një darkë për ta. Rroftë Facebooku dhe ato pak media e individ dashamirës, të cilët e promovojnë Veriun sepse të ishte në dorën e vizionarëve të bashkive, vetëm Zallin e Kirit, njohim.
P.S. Ky reagim erdhi pas një kronike për çeljen zyrtarisht të sezonit turistik në Dibër. /Publikuar në Facebook nga Klodian ZHIVANI, gazetar/