NGA KOLINDO VJERDHA – Kur do ta shohim të vërtetën në sy…?

Në çdo ditë tonën, ne e jetojmë, e përjetojmë, herë biem pre e herë zgjedhim të jemi aktorë të realitetit shqiptar. Si çdo shoqëri edhe e jona ka kaluar një pasazh të gjatë evolucioni të brendshëm, një evolucion ritmet e të cilit sidomos në tre dekadat e fundit kanë qënë shumë të ngadalta, ndoshta edhe shumë elementë kanë qëndruar statik, të pandryshueshëm. Evolucioni shoqëror në këndvështrimin tim shkon në të njëjtën linjë me evolucionin politik, janë pikërisht politikat që japin dimensionet dhe hapësirat për zhvillim. Qënia njerëzore në vetvete është elastike, gjë që e bën të përshtatet me kushtet që shoqëria, e diktuar nga politika, përcakton.

Elementi kryesor mbi të cilin mendoj bazohet gjithë mendësia shtetformuese, drejtuese, politikbërëse e të gjitha niveleve është mentaliteti i shoqërisë. Shoqëria shqiptare në kalvarin historik ka përjetuar shumë nënshtrime shekullore, të cilat arritën kulmin kur këto nënshtrime u ekzekutuan nga shqiptarë, që fati e merita për të kërkuar fatin i solli në drejtim. Këto nënshtrime kanë krijuar në përceptimin e shoqërisë një frikë të brendshme dhe stepie që ushqen mosreagim. Me breza të tërë është ngulitur aq thellë, indiferentizmi i kushtëzuar nga frika e ndëshkimit. Por a është ky përceptim i drejtë, tani pas tre dekadash “demokraci”?!


Të kërkosh një përgjigje detyrohesh të gjurmosh gjenezën dhe gjeneza e kësaj “demokracie” na çon jo shumë larg, por në vitet ’90. Çasjet ndyshojnë, këndvështrimet po ashtu, analizat që rrjedhin nga këto këndvështrime na kanë dhënë “gjysmë të vërteta” të cilat i janë servirur shqiptarëve si të vërtetat e mëdha të këtyre dekadave. Si rrodhëm në këtë sistem? Të vërtetat nuk janë thënë. E çuditshmja për një të ri është se si drejtuesit dhe ideuesit e krimeve të diktaturës, morën dënime qesharake e shumë të tjerë u larguan fare dhe nuk mbajtën asnjë përgjegjësi. Mund të jemi vendi unikal, ku diktatori i fundit ishte dhe presidenti i parë. Këtu nis zanafilla e këtij sistemi. Të vërteta që protagonistët e gjallë nuk gjejnë forcën t’i tregojnë pasi gjithë tabloja e kësaj pseudodemokracie do të binte dhe me të edhe integriteti i pushtetit të tyre.

Në këndvështrimin tim, status quo-ja e tanishme politike e shfrytëzoi “ndërtesën e vjetëruar” të sistemit të kaluar, duke i hapur thjesht ca dritare që e gjitha kjo të ngjante një fasadë e bukur. Nuk bënë asgjë tjetër, por thjesht u ndanë në dysh dhe nga një mit, u krijuan dy. Dy mite që mbartin peshën më të madhe të dështimeve të këtyre 31 viteve. Sistemi në themel është po ai, i presioneve, dënimeve, drejtësia si një makinacion për politikë, thjesht me ndryshimin e vetëm që ndëshkimet janë zbutur, për t’ju përshtatur pak kohës ndoshta. Sot pushohesh nga puna, të mbyllet biznesi, të shkatërrohet karriera nëse gëzon thjesht nofkën “kundërshtar politik”. Nisur nga kjo shprehet qartë që është pikërisht politika me këto makinacione që gdhend këtë mentalitet mosreagimi.

Në këto tre dekada është bërë kaq pak, ku akoma luftojmë për shërbime bazike, për energji elektrike, për ujë, për rrugë, për plane urbanistike, për shkolla, spitale. Jemi kaq prapa nga ku duhet të ishim. Kemi fuqizuar disa individë që nuk e lëshojnë lokomotivën e politikës shqiptare në 31 vite. Ato që hynë me shkollë e pa shkollë 31 vite më parë e që sot janë pasuruar, me hallet e popullit. Jemi një popull kaq i vogël, ku duhet të ishim në një stad tjetër jetese me gjithë resurset që kemi. Arritja më e madhe për të cilën krenohemi është që shohim Shqipërinë të virtualizuar 3D, brohorasim e hakërrehemi për të e në fund harrojmë të hapim sytë e të shohim Shqipërinë e vërtetë, e cila është pasoja e dukshme e atyre që kanë bashkëdrejtuar këto tre dekada, atyre që futën urrejtjen mes një populli “tifoz duartrokitës” të nënshtruar që ende brohoret për to.

Emancipimi shoqëror nis në mendim, e mendimi krijohet nga gjykimi. Por kur gjykimi dhe mendimi indoktrinohen atëherë emancipimi ngec e bashkë me të edhe fryma e re. Të rinjtë largohen sepse e shohin sa e plakur është mendësia, sa e plakur është politika, e kur këto janë të plakura edhe shpresa edhe e ardhmja janë të zymta gjithashtu. I kemi thurur natyrës shqiptare shumë mite legjendare, të fortësh, të drejtësh, por kemi harruar t’i sjellim në kohë. Shqiptarët sot kanë nevojë për “Mujin dhe Halilin”, shqiptarët sot kanë nevojë të ndryshojnë, të lëvizin përpara. E vjetra nuk mund të ringjallet si e re. E reja lind vetëm pas çdo të vjetre. Shpresa lind kur në këtë vend të vendoset demokracia e vërtetë. /Nga Kolindo VJERDHA/