NGA FRANO KULLI – Mbaji për vete ato fjalë, zoti kryeministër…!

“Madhësia e tragjedisë së pardjeshme në Himarë e bën edhe më të madhe se çdo herë tjetër ligësinë e verbër të vampirëve politikë e mediatikë që s’lenë plagë pa futur në gojën e tyre të përdalë, duke kërkuar përfitimet e tyre mizerabël në shkelje të çdo kodi moral, familjar, kombëtar ! – paskeni shkruar dje në Twiter-in tuaj, zoti kryeministër. Pra, sipas jush, vetë tragjedia qenka e vogla që paska ngjarë…
Si the, si the ????

Në përmasat e tragjedisë e mos më shumë të rënda, për nga e ithta që mbartin janë fjalët e tua, zoti kryeministër. Si qenka më e madhe se madhësia e tragjedisë, “ligësia e verbër e vampirëve politikë e mediatikë”, siç merrni kurajon të etiketoni njerëz, vetëm Ju, zoti kryeministër ? Jo mor jo, asgjë tjetër në gjithçka e rrethoi këtë tragjedi nuk është kurrë sa vetë tragjedia. Një polic, një oficer policie, në ekstazën e orgjisë së vet i mori jetën një fëmije. Një fëmije që thurte e çthurte ëndërra e lodra në të drejtën e në pafajsinë e vet aty, në breg të detit. Dhe ai polici që shkaktoi tragjedinë është polici juaj, zoti kryeministër. Nuk e kam veshur e xhveshur unë atë policin oficer, që ende qenkërka në ndjekje për trafik lëndësh narkotike, zoti kryeministër. Ky tipi, që sa i drogës dhe i skafeve qenkërka edhe oficer i policisë është gjetje e produkt i shtetit të pushtetit tuaj, zoti kryeministër.


Nuk është polici im ai, eej… As i miqve të mij, që mbrëmë, në një marshim homazh dhimbjeje ndezëm nga një qiri e hodhëm në det nga një karafil. E që u lutëm për shpirtin e vogëlushes Jonada, të prirë nga dom Gjergj Meta Ipeshkëv. Me lutjen e përbotëshme “Ati ynë…” . Nuk është polici im, ai zoti kryeministër, as i Zef Çobës, as i Romeo Gurakuqit, as i Stefan Çapalikut, që me zonjat tona kryem aktin modest e të përdëllyer të dhimbjes dhe shfaqëm revoltën tonë të paqme për krimin e policit tënd, zoti kryeministër. As i Adrian Pacit, që, ardhur nga Italia e i ndodhur në Shëngjin iu bashkua marshimit tonë, zoti kryeministër. As i Alfonsit, Linditës, Almës, Ladit, Fatmirës, Agostinit e shumë të tjerëve që ishin bashkë me ne. Ai është polici juaj, zoti kryeministër. Ju nuk mund të lani duart prej mëkatit të tij si Ponc Pilati. Siç bëni rëndom pas çdo të keqeje që na sjellin ne të qeverisurve prej jush, policët tuaj, zoti kryeministër. E ministrat e policëve tuaj, zoti kryeministër.

Unë nuk besoj se është më pak vampir se vampirët e vërtetë ai polici juaj, zoti kryeministër që këput në mes ëndërra dhe jetë të pafajsisë së fëmijëve. “Ligësinë e verbër të vampirëve politikë” kërkojeni brenda vetes, zoti kryeministër. Se politika jeni ju, se shteti , krejt i padashtun për ne, megjith çka po bëni, jeni ju, zoti kryeministër. Ne prangat kemi. E duresën tonë, që ju s’e meritoni. Se meriton duresën tonë kaq të gjatë, e keqja që na sillni ne përditë ju”vampirët e politikës”. Por, ja që edhe duresa sonë ju bezdiskërka ju!!!

Edhe “vampirët mediatikë” janë tuajët zoti kryeministër. Po, po, tuajët janë, “mediatikët” që ndërtojnë pallate(???) ju i keni fryrë si kacek me para e pasuri nga paratë tona publike shpurën e neveritëshme të tyre. E kaceku i tyre shfryn përditë përmbi ne llum e baltë propagande. Nga propaganda juaj. Për mostrat e “mediatikëve” të pasur e ka dhënë heret devizën Indro Montanelli i madh: “Nëse takoni një gazetar të pasur, mos i besoni.

Gazetaria nuk sjell pasuri… gazetari i pasur është një gazetar që qelbet erë, sepse e ka përdorur zanatin për të arritur objektiva të tjerë”. Ata “mediatikë” që sillen përreth jush, për t’ju lëpirë ju e për t’u poshtnuar prej jush, gjithashtu, janë të ju “politikëve”, zoti kryeministër, ata s’kanë asgjë të përbashkët me opinionin publik; ata s’janë tanët. Edhe ata, si polici juaj, vrasin. Po, po vrasin përditë ëndërrat dhe besimin tonë; ata ushqejnë përditë, bashkë me ju, mëdyshjen e madhe nëse Shqipëria është ende e jona! /Nga Frano KULLI, publikuar në Facebook/