Po bëhen afro 2 javë qysh kur Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSH), njoftoi për sulmin kibernetik, pas së cilës u izoluan të gjitha infrastrukturat dhe sistemet qeveritare.
Sot të gjitha faqet e institucioneve qeveritare, sapo i hap, të lajmërojnë se nga data 1 maj, qeveria pa asnjë konsultim publik, vendosi të kalonte shërbimet ndaj qytetarëve, 100% online, por nuk të ofrojnë asnjë informacion.
Kryeministria nuk ka asnjë informacion që nga data 13 korrik.
Të gjitha ministritë që nga data 8 qershor 2022.
Qendra e Botimeve Zyrtare nuk ka të shpallur asnjë akt, që nga data 21 korrik.
Qendra Kombëtare e Biznesit, në faqen e parë i kujton të gjithë subjekteve që të depozitojnë pasqyrat financiare vjetore brenda datës 31 korrik 2022, në të kundërt do të penalizohen me 60000 lekë gjobë, por ndërkohë nuk ofron mundësinë e depozitimit.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë komunikon me bizneset nëpërmjet rrjeteve sociale.
Vendet, edhe ato më të zhvilluarat, punojnë edhe online edhe fizikisht. Vetëm qeveria jonë mbyll të gjitha sportelet e institucioneve shtetërore dhe përqëndron online të dhënat personale. Kostot e shqiptarëve u rritën, por këta nuk duan t’ia dinë për kostot e shqiptarëve, përballë interesave të veta, të lidhura me subjektet e tyre private.
Në njoftimin e sulmit, AKSHI nuk harroi të cilësonte se të gjitha të dhënat janë “të ruajtura dhe të sigurta”. Por vjedhja e dokumenteve të Shtetit Shqiptar, tashmë duket realitet, perderisa kanë filluar të publikohen disa prej tyre.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave që nga viti 2015, janë shpenzuar 768.3 milionë lekë (të reja), vetëm për rritjen e sigurise në sistemet qeveritare.
Tani me siguri, me Aktin Normativ të radhës, do të shtojnë fondet për të siguruar të dhënat që u zotuan se dinë t’i mbrojnë. Dhe historia përsëritet ngjarje pas ngjarje me patronazhista, me pagat e gjithë të punësuarve, me sulme kibernetike dhe shqiptarët vazhdojnë të vidhen. /Nga Emilia KOLIQI, deputete e Shkodrës, publikuar në Facebook/