
Dje në parlament, me votat e mazhorancës, u votua projektligji për Zonat e Mbrojtura. Një ligj, i cili do lejojë investimet strategjike në këto zona, duke dëmtuar natyrën e mbrojtur.
Delegacioni I BE-së, i kërkoi Kuvendit ta tërhiqte variantin e sjellë nga qeveria, pasi binte ndesh me legjislacionin europian për mjedisin, dhe të rihapnin konsultimin public.
Por maxhoranca kishte marrë urdhër dhe procedura vazhdoi pa marrë parasysh kundërshtimet e organizatave mjedisore, Bashkimit Europian por edhe organizatave të tjera ndërkombëtare, Agjencia Suedeze për Zhvillim, UNDP , Bashkëpunimi Italian-AICS.
Ligji u votua edhe pse para parlamentit kishte një protesët të shoqërisë civile me banderolën “Mos voto ligjin masakrues të zonave të mbrojtura”. Votimi i këtij ligji, lidhet edhe me urdhërin që paskan marrë disa bashki që kanë në territorin e tyre Zona të Mbrojtura, për rritjen e taksës së ndikimit në infrastrukturë .
Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak Shkodër me datën 29 dhjetor 2023, u miratuan ndryshimet ne taksat dhe tarifat e bashkisë Shkodër dhe një nga ndryshimet më të rëndësishme ishte dyfishimi i nivelit të taksës së ndikimit në infrastrukturë.
Në relacionin bashkëlidhë ndryshimeve të paketës fiskale dhe relacionit të buxhetit, nuk kishte asnjë argumentim ose studim të këtij ndryshimi, megjithëse u cekën në mbledhjen e këshillit bashkiak, duke u shprehur se ekzistojnë.
Me datën 09.01.2024, i kërkova Bashkisë Shkodër të më vihet në dispozicion:
1. Studimi i kryer nga administrata e bashkisë për argumentimin e rritjes së nivelit të taksës.
2. Llogaritja e efektit financiar në të ardhurat e Bashkisë, nga rritja e kësaj takse, e ndarë sipas viteve të PBA 2024-2026.
Por jemi gati në fund të shkurtit dhe nuk kam marrë asnjë përgjigje. Përgjigjen e mora dje në sallën e parlamentit, ku vërtetohen fjalët e përhapura për ndërtimet, që priten, në Zonat e Mbrojtura: Thethi, Lumi Buna-Velipoje, Liqeni Shkodres-Lumi Bunes, kjo edhe statusin RAMSAR (ligatina me rëndësi ndërkombëtare të përcaktuara sipas Konventës së Ramsarit për Ligatinat për ruajtjen e specieve të rralla ose unike dhe ruajtjen e diversitetit biologjik).
Për gjithë rregullat dhe kriteret, do të vendosë KM si kryetari i Këshillit Kombëtar te Territorit. Prandaj i duhej edhe Shkodra, si bashkia që kishte zona të rralla natyrore, që ta shkatërrojë dhe betonizojë edhe atë. /Nga deputetja e Shkodrës Emilia KOLIQI, publikuar në Facebook/