NGA EMILIA KOLIQI – Korrupsioni në institucionet shtetërore sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit….

Referuar raportit të performancës të KLSH për vitin 2021, rekomandimeve të lëna në Progres Raportin e Komisionit Europian dhe Rezolutës së Kuvendit të vitit 2021, rezulton se numri i auditimeve financiare, auditimeve të kombinuara, përmirësimi i cilësisë së tyre me opinione profesionale është rritur ndjeshëm gjatë vitit 2021, krahasuar me vitin 2020.

Janë zbuluar parregullsi dhe shkelje financiare, me një dëm efektiv të përgjithshëm në shumën rreth 75 miliardë lekë. Parregullsitë dhe shkeljet financiare të zbuluara gjatë vitit 2021, ndahen si vijon:


Dëm ekonomik, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera në shumën totale 19 miliard lekë. Në fushën e të ardhurave, shumën më të madhe e zënë parregullsite dhe shkeljet financiare në zbatimin e legjislacionit tatimor dhe në zbatimin e Kodit Doganor në shumën 16 mld lekë.

Efekte negative në financat publike, për shkak të parregullsive dhe paligjshmërive të disiplinës financiare, në shumën 55 mld lekë. Në fushën e shpenzimeve, shumën më të madhe e zënë parregullsite dhe shkeljet financiare në shpenzimet për investime dhe të tjera me 42 mld lekë. Parregullsitë dhe paligjshmëritë e konstatuara, i referohen:

• Përdorimit të fondeve jo me efeciencë, efektivitet dhe ekonomicitet në fushën e prokurimit publik.
• Shkelje të disiplinës buxhetore në programimin dhe realizimin e shpenzimeve publike, likuidimin e faturave për shpenzime/investime, i cili është shoqëruar me krijimin e detyrimeve të prapambetura të reja dhe mos marrjen e masave për rikuperimin e detyrimeve të krijuara ndër vite.
• Kryerjen e pagesave për kontratat koncesionare përtej nivelit të miratuar në modelin financiar.
• Parregullsitë dhe shkeljet në administrimin e të ardhurave tatimore dhe jo tatimore.
• Keqadministrimin e mangësitë në monitorimin e kontratave të qirasë/enfiteozës/1 euro.

Në 6 vitet e fundit, dëmi ekonomik në buxhetin e shtetit, i gjetur nga KLSH është 6 miliard euro, sa gati një buxhet vjetor i shtetit. KLSH-ja ka përcjellë në organet kompetente 14 kallëzime dhe indicie penale, 6 prej tyre në SPAK dhe 8 të tjera pranë Prokurorive të rretheve gjyqësore, për 62 zyrtarë të niveleve të ndryshme. Për 10 vite ka 357 kallëzime dhe indicie penale.

KLSH evidenton se sistemet e kontrollit janë ende jo efektive, të pa monitoruara periodikisht dhe të raportuara vetëm nga një numër i kufizuar njësish publike referuar numrit total të tyre në nivel kombëtar. Kjo gjetje evidentohet edhe në Progres Raportin e BE-së Tetor 2021, dhe raporteve të tjera të organizmave ndërkombëtarë.

Në fushën e të ardhurave KLSH ka konstatuar problematika në kontrollet e ushtruara nga zyra dhe në terren në subjekte tatimpagues. Në fund të vitit 2020, rikuperimi i borxhit tatimor prej 122 miliard lekë, nuk paraqitet në nivelin e kërkuar dhe nuk ka kontribuar në rritjen e të ardhurave vjetore. Borxhi i lartë doganor prej 45 miliard lekë .

Procedurat e prokurimit, kanë sjellë si pasojë dëm ekonomik në buxhetin e shtetit dhe në buxhetin e shoqërive publike në vlerën prej 126.5 milionë lekë, si dhe efekt financiar negativ në përdorimin e fondeve publike në shumën prej 3 miliard lekë.

Në vijim të auditimit të KLSH, në raportin e FMN dhjetor 2021, kërkohet transparencë dhe llogaridhënies për shpenzimet e kryera sipas procedurave emergjente për goditjet nga pandemia dhe termeti.

Autoriteteve u kërkohet të publikojnë kontratat e prokurimit publik për shpenzimet e lidhura me pandeminë dhe tërmetin, emrat e kompanive fituese dhe pronarët e tyre përfitues.

Në auditimin e fondeve për përballimin e pandemisë COVID-19, politikat e ndjekura nga MSHMS dhe institucionet shëndetësore publike dhe jopublike nuk realizuan ofrimin e shërbimit shëndetësor si një e mirë publike, për të rritur cilësinë e jetës së qytetarëve.

Nga Auditimi i Buxhetit të Shtetit për vitin 2021 dhe Auditimi i Bashkive, sipas opinioneve të dhëna në raportet e auditimit, rezulton se në numër të konsiderueshëm subjektet e audituara kanë shfaqur mangësi të theksuara në menaxhimin ekonomik dhe financiar të veprimtarisë tyre, me pasoja në frenimin e zhvillimit ekonomik dhe social të vendit.

Qytetarët kërkojnë ndëshkim të korrupsionit në nivelet e larta të administratës dhe fuqizimit të institucioneve demokratike.

Pandëshkueshmëria është burimi i dëshpërimit për një pjesë të madhe qytetarësh, të cilët po emigrojnë përditë e më shumë nga padrejtësia, varfëria, korrupsioni, papunësia dhe mungesa e perspektivës. /Nga deputetja e Shkodrës Emilia KOLIQI, pjesë nga fjala në Kuvendin e Shqipërisë në seancën e datës 7 korrik 2022/