NGA ELONA CASLLI – Vdekja politike e një individi vjen nga vota dhe jo nga goja e kryeministrit…

Kryeministrit Edi Rama i duhet kujtuar fakti se vdekja politike e një individi vjen nga vota dhe jo nga goja e kryeministrit. Është e vërtetë që goja në këtë katundin tonë të madh përcakton karrierën e shumë njerëzve, por teksa goja mund të përcaktojë karrierën e njerezve në fusha të ndryshme, ajo nuk ka arritur me kalimin e shekujve të përcaktojë qoftë vdekjen biologjike, qoftë vdekjen politike të dikujt. Përdorimi i argumentit të vdekjes është më i vdekur se vetë vdekja dhe goja që e shqipton vdekjen jo domosdoshmërisht e shkakton atë.

Mandatin e jetës ta jep Zoti dhe mandatin e përfaqesimit ta jep vota dhe jo goja e Edi Rames.


Vdekjen politike të një personazhi e përcakton vota dhe askush tjetër. Votuesit janë ata që përcaktojnë jetën apo vdekjen e një personazhi politik e në rastin konkret është anëtarësia e opozitës e cila përcakton jetën apo vdekjen politike të zotit Berisha.

Nuk është parë e nuk është dëgjuar kund që kryeministri i një vendi të kthehet në rrobaqepësin e opozitës. Nëse në portën e një rrobaqepësi lexohet: “Qepim pallto me porosi” në gojën e kryeministrit mund të lexojmë qartazi “ Qepim opozitë me porosi”.

Post Scriptum- Edi Rama të qepë kostumin e skandaleve rilindase se kostumin e opozitës e qep anëtarësia e saj. /Nga Elona CASLLI/