Teksa u përballa sot me lajmin mbi Elsa Lilën, nuk pashë figurën e një gruaje 40 vjeçe të arrestuar për trafik droge. Pashë figurën e një vajze 16 vjeçe pa nënë.
U hodh mbi supet e saj të brishtë vdekja e nënës së saj dhe çdo lajm i asaj historie të trishtë fillonte me – E ëma e Elsa Lilës. Nuk guxoj të imagjinoj dhimbjen që mund të ketë ndjerë ajo vajzë asokohe dhe njollat në shpirtin e saj.
Unë e kujtoj ashtu të brishtë mbi skenën e festivalit. E kujtoj në skenën e Sanremos teksa foli shqip. Nuk pajtohem aspak me përfshirjen e saj në shtresat e errëta të shoqërisë, por e shoh këtë përfshirje si pasojë të një fëmijërie të vështirë nga e cila Elsa nuk ia doli dot të shkëputej.
Dikush do të shprehej se prania apo mungesa e nënës nuk është kusht për t’ia dalë mbanë në jetë. Sigurisht që po, por sikunder ka njerëz që ia dalin mbanë të ngrihen mbi dhimbjen e së shkuarës, ka edhe njerëz që mbeten peng i saj dhe zhyten në një spirale absurdi drejt një rruge pa kthim pas.
Elsa riprodhoi fatin e saj dhe te sytë e vajzës së Elsës 10 vjeçe sot, shoh atë vajzën e dikurshme që mbi skenën e festivalit pyeste lotin. Post Scriptum- A mos ndoshta edhe fati trashëgohet?! /Nga Elona CASLLI, publikuar në Facebook/