NGA ALFRED LELA – Shënim i një të pagëzuari si katolik…

Kjo Pashkë katolike ka ardhur te unë sikur t’i kishte brenda të gjithë shekujt. Simbolikisht qëndron, sepse për Krishtin, ai që e ndau kohën në dy pjesë, para dhe pas, që është Alfa dhe Omega, thuhet gjithashtu se ‘ka qenë para të gjithë shekujve’. Që do të thotë edhe pas të gjithëve.

Kthimi, apo rikthimi, te besimi nuk është ngulfatja e një libertini, sa është mbërritja shpirtërore te një cak prej të cilit nuk mund të shohësh asgjë më shumë se atë që nuk të zbulohet. E kanë thënë: mjerë ai besim që ka nevojë për provë! Në mungesë të kësaj prove të atypëratyshme, të kësaj deus ex machina, unë shihja mamën, në një spital onkologjik, në qytetin e një vendi të krishterë si Italia, që bashkonte duart në lutje para trupores së një kryqi me Krishtin në të, në murin përballë shtratit të saj. Edhe ajo ishte e gozhduar aty deri kur të jepte frymën e fundit, dhe ta zbrisnin për ta futur në ‘shpellën’ e saj, morgun e nëndheshëm të spitalit.


Zoti nuk e dha provën që njerëzit zakonisht presin, ndërhyrjen e mrekullishme dhe shpëtimin e të afërmit, por unë hasa në prova të tjera, të cilat mund t’i quani edhe ngushëllime. Për shembull, fakti se mama ime po shuhej, por me dinjitet, ishte kaq i thellë dhe i rëndësishëm për mua, sa thua merrte formën e shpëtimit. Kisha parë të afërm të mitë në spitalet e Shqipërisë që shkalafiteshin, jo dhe aq prej mungesave se sa prej teprimeve, prej mos-humanizmit, prej vetë faktit se sistemi shëndetësor, publik dhe privat, është kthyer në sipërmarrje ekskluzivisht tregtare.

Tempullin e boshatisur tregtarësh, një shëmbëlltyrë biblike, e gjeja në Itali, por jo në atdhe. Në të gjithë këtë ndërrim vendesh e rolesh, ai që shuhet i pari është dinjiteti. Ai kryq mbi arkëmortin e mamës, ato përvoja ‘të krishtera’ me të, u bënë shtysat finale drejt katekizmit, procesit të nxënies së Ungjijve dhe mësimeve biblike. Kulturalisht e dija vetën të krishterë, gjithsesi. Kujtesa më shërbente gjithashtu episode ku im gjysh, darkat me të shtëpisë (jo të tjerët-sepse ishim në komunizëm) i niste gjithmonë me “Qoftë lëvdu’ Krishti!”. ‘Gjuetinë sekrete’ për vezët e Pashkës gjatë fëmijërisë së hershme e mbaj mend si sot. Nuk ishte vetëm loja, por edhe fakti se, të nesërmen mund ta haje vezën. Për fëmijët e socializmit shqiptar, një vezë më shumë në kohën e racionimeve drastike, ishte një gëzim më vete, si vetë loja dhe feja.

Më 30 dhjetor jam përballur me një tjetër trandje shpirtërore. Aksidentin në malin e Munellës ku humba një mik të dashur, Ndocin, dhe dëshmova përjetimet e pjesës tjetër të grupit. “Ajo degë pishe ku u mbajte, nuk ishte pemë, por dora e Zotit”, më shkruante një mik të nesërmen. Natën e aksidentit unë isha nën deliriumin e lavdisë dhe kthjelltësinë e turpit njëheri. Ngaqë e dija se nga fundi më kishte ndarë një nanosekondë, më kishte kapluar një përligjie prej së cilës turpërohesha. A isha unë ‘favoriti’ i Zotit, dhe pse? Pse e meritoja, edhe njëherë tjetër, këtë ‘përkëdhelje’ kur sapo kisha kaluar poshtë qepallave të një fshikullime fatale? Apo ky rast nuk ishte fati im, por një sprovë tjetër për të gjithë ne? Kur orë më vonë u mor vesh se Ndoci kishte humbur përfundimisht, mua më vinte edhe më shumë zor nga ‘favorizimi’ im. E dija se ai kishte ikur duke zgjatur dorën për të shpëtuar një tjetër nga grupi, që kish marrë rrokullimën drejt humnerës. Ajo dorë që ishte zgjatur për të shpëtuar dikë kishte fundosur të zotin. Po Zoti ç’rol kishte luajtur në këto duar që zgjateshin, në këto frymë që vazhdonin ose priteshin në mes?

Nuk kisha përgjigje, por ashtu si Gjoni, një prej ndjekësve të Krishtit, doja të isha modest përballë zgjedhjes. ‘…një nga dishepujt të cilin Jezusi e donte…, thotë autori duke shmangur pronorin ‘mua’ (’Ungjilli i Gjonit, kapitulli 13, vargjet 22-23).

Të dielën e ringjalljes të Krishtit, më 17 prill të vitit 2022 të Zotit Tonë (AD), u pagëzova në Katedralen e Shën Palit në Tiranë, duke marrë pikërisht emrin Gjon. Më pëlqente Ungjilli i tij, fakti se ishte ‘favoriti’, por edhe se emri i tij tingëllonte më shqiptari ndër 12 dishepujt. Për ceremoninë e pagëzimit isha ngurrues në filllim. Së brendshmi doja diçka intime, me familjarë, miq dhe nunin. Një kishë për vete dhe ‘dorëzimin’ tim, si me thënë. M’anë tjetër doja ta dëshmoja fenë dhe besimin tim. Ishin dijenitë e mia, përvojat, ‘dorëzimi’ im, përballë kaq shumë ‘kulturave’ (sapo u flas për dijet ata më nxjerrin kulturën e tyre, thotë Finkelkraut), mosdorëzimeve, përvojave instagramike. Pra, një luzmë arturinash të futura në tempullin e jetës, që i kanë bërë njerëzit ‘favoritët’ e materiales, por jo gjona të shpirtërores.

Dom Marjan Lumçaj i cili i priu katekizmit tim, dhe dhjetra të tjerëve, këtë vit më tha pas ‘shpëtimit’ nga kthetrat e vdekjes në Munellë. “Zoti e ka një plan për ty”. Nuk kërkoj prova për këtë.

Ndoshta ka qenë vdekja që më ka shtyrë drejt këtij vendimi të vonë, por është jeta që e ka mbjellë farën. Në fund të fundit, jeta jonë shpirtërore është edhe te të vdekurit tanë, te t’shumit. /Nga Alfred LELA/