E ardhmja e Elseid Hysajt te Napoli ka kohë që është në dyshim dhe prej kohësh pritet largimi i mbrojtësit të kombëtares sonë. Megjithatë, largimi nuk po vjen dhe Hysaj me ardhjen e Gatuzos në stol ka nisur të luajë rregullisht. Para disa ditësh mediet italiane japin sinjale për një rinovim të mundshëm, diçka që nuk është konkretizuar aspak dhe klubi nuk ka ndërmarrë asnjë veprim.
Kjo situatë e bën Hysajn, por edhe menaxherin e shkodranit, Mario Xhufredi të paqartë rreth të ardhmes së klientit të tij. Italiani është prononcuar për mediet pranë klubit të Napolit dhe është shprehur se Hysaj ndihet më mirë me ardhjen e Gatuzos dhe ka filluar të luajë rregullisht. Megjithatë, Xhufredi shton se nëse Napoli nuk ndërmerr shpejt hapa për rinovimin e kontratës, Hysaj do të zgjedhë një tjetër klub për të vazhduar karrierën e tij. Kontrata e 25-vjeçarit me Napolin përfundon në vitin 2021.
“Hysaj me trajnerin e ri po kthehet në nivelet e tij të zakonshme. Kjo do të thotë se ai po ndjen më shumë besim me ardhjen e trajnerit të ri dhe do të shprehet shumë më mirë në pjesën e dytë të kampionatit. Ai e ka në zemër ekipin e Napolit dhe dëshiron të vazhdojë të bëjë maksimumin për këtë ekip. Për momentin Hysaj ka nevojë për siguri. Nëse klubi vazhdon të jetë në qetësi në lidhje me rinovimin e kontratës ne mund të vendosim të mos presim, por të bëjmë zgjedhje të tjera. Nëse ekziston dëshira për të rinovuar, mund ta bësh këtë për vetëm pesë minuta. Mund të vendosim të largohemi gjatë verës”, – përfundoi Xhufredi.