“Në raste të ngjashme dhe për personalitete të tilla, heshtet”, Romeo Gurakuqi kundër Gaz Bardhit për Simon Mirakajn…

Një parti e mirëfilltë demokratike, trashëgimtare e drejtpërdrejtë e Desidencës Shqiptare, nuk do të duhej fare ta vendoste në diskutim emnin e zotni Simon Mirakajt për drejtimin e Autoritetit për Informim, aq më pak ta kundërshtonte emrin e një trashëgimtari të denjë, të një prej familjeve fisnike që kanë mbajtë në kambë Shqipninë Tradicionale.

Zoti Mirakaj, një zotni i kulturuem dhe tolerant, ka qenë dhe mbetet garancia e atij institucioni për publikun, një person i drejtë dhe i pacënueshëm, një kujdestar qytetar, për pritjen si duhet të qindra shtetasve, familjet e të cilëve kanë vuajtun nën shtypjen e organeve të diktaturës.


Pavarësisht rrethanave të tjera të prejardhjes së propozimit formalisht, armiqësisë mes krahëve dhe disa faktorëve të tjerë të rëndësishëm, në raste të ngjashme dhe për personalitete të tilla, HESHTET.

Ende në këtë vend, partitë politike njëlloj, mbajnë qëndrime të ngjashme kur vjen puna për të fshirë me marifete dhe me ‘harresa padashje’, përfaqësues të spikatun të një brezi të lënë në harresë, ose të komuniteteve kulturore.

Dua të kujtoj se ka një radhë kur vjen puna për drejtimin dhe garantimin e institucioneve të tilla të trashëgimisë së Ancien Regime, radhë që fillon me një kategori të caktuar zyrtarësh e intelektualësh që përfaqëson zoti Mirakaj, në disa këndvështrime.

Është e mira që deklaratat e sotme të korrigjohen, sqarimi dhe kërkesa e faljes të mbetet një opsion reflektimi. /Publikuar nga Facebook nga Romeo GURAKUQI, ish- deputet i PD- së Shkodër./