
Qeveria e ka shtyrë për në shtator vendimin për të caktuar fashën e energjisë për konsumatorët familjarë. Mes dy shifrash 700 apo 800 kilovat, burime të sigurta nga ministria e Energjisë thonë se fasha që do përcaktohen do të jetë 800 kilovat. Të gjithë konsumatorët familjar që konsumojnë deri në 800 kilovat do të paguajnë 9.5 lekë për kilovat, ndërsa ata që e kalojnë këtë fashë do të paguajnë më shumë.
Burime nga MIE, pohojnë që nga studimi që i është bërë konsumit të energjisë nga familjaret ka rezultuar se 800 kilovat është një kufi i mjaftueshëm për familjarët, për të përballuar nevojat e tyre. Ndërsa vendosja e fashës synon grupin e familjarëve që kanë vila, apo shtëpi private dhe që konsumojnë energji për të ndriçuar ambientet e jashtme, oborret, apo pishinat dhe që konsiderohen si familje të pasura.
Ende nuk është përcaktuar çmimi që do të paguajnë familjet që konsumojnë mbi 800 kilovat orë energji por një strategji që mund të përdoret është ajo e faturimit si biznes të tensionit të mesëm, që prej janarit paguajnë 18 lekë për kilovat.
Gjatë kohës që diskutohej fasha për 700 kilovat zëvendës ministri Ilir Bejtja pati sqaruar në Report TV, mënyrën se si do të bëhej faturimi nga ata që kalojnë fashën.
“1 terravat atyre që konsumojnë mbi 700 kilovat ne nuk do ua japim me 9.5 lekë, por do të bashkohet me energjinë që ne marrim nga importi, ky 1 terravat që kemi ne është me 2.6 lekë, ai që vjen nga importi mund të jetë me 30 lekë, çmimi i bashkuar del 33 lekë për kilovat pjesëtoje me 2 kilovat dhe del çmimi që do të paguajnë që do të jetë 16, 17 ose 18 lekë për kilovat. Do dalë aq sa i del sot biznesit të tensionit të mesëm”, pati sqaruar Bejtja me 27 prill 2022.
Fasha e energjisë pritet të vendoset pasi prodhimi vendas nuk mbulon nevojat që ka Shqipëria për konsum, ndërkohë që çmimi i importit ka arritur në vlera rekord, ku gjatë kësaj jave që po lëmë pas një megavat arriti në vlerën e 360 eurove, duke kapërcyer parashikimet e institucioneve vendase dhe te huaja që prisnin që situata të stabilizohej përpara qershorit.
Për bashkëpunime, publikime reklamash, njoftimesh në ShkodraWeb, mund të shkruani në SMS, Whatsapp, Viber +355 67 300 20 70 ose mail: info@shkodraweb.com në çdo kohë!