Italianët e quajnë “minestra riscaldata”, në shqip “supë e ringrohur”. Fqinjët tanë “picën e ringrohur“ dhe “supën e ringrohur”, i kanë sinonim të diçkaje që nuk preferohet si ushqim. Por mesa duket, italianofili kryeministër, ka vendosur të largohet nga modeli i preferuar i shtetformimit. Shembulli më i mirë janë ndryshimet e sotme në qeveri.
Vlerësimin për punën e ministrave, edhe në bazë të Kushtetutës, e jep kryetari i qeverisë. Edhe pse sot tingëlloi çuditshëm nga goja e vetë kryeministrit, i cili la të kuptohej se ministrat kanë punuar mirë, edhe pse shkarkohen. Megjithatë, një opinion ka të drejtë ta japë çdokush.
Duke filluar me Shkodrën, duhet pranuar se zëvendëskryeministrja Senida Mesi, po ikën nga qeveria pa lënë asnjë gjurmë. Pak a shumë, si paraardhësja e saj teknike Ledina Mandia. Që të dyja nuk bënë asgjë për Shkodrën, edhe pse diferenca kohore në detyrë është e ndryshme, siç edhe kompetencat konkrete në dy rastet, me të njëtin kryeministër Edi Rama. Por nëse Mandia për 4 muaj nuk kishte shumë mundësi, Mesi nuk arriti të ndërtojë as në imazh sepse nga PS Shkodër u mbajt larg nga Bushati. Edhe ky, sot dorëzoi çelësat, duke marrë pas edhe një “vulë” nga Rama që të përqendrohet në Shkodër. Pavarësisht dikasterit, as Bushati nuk arriti të lërë gjurmë në qytetin e tij.
Senida Mesi mund të gjejë “ngushëllim” sepse po zëvendësohet nga Erion Braçe, figurë e pastër sa i takon qeverisjes socialiste por edhe kritik në disa raste. Bushati ka arsye të ndjehet keq, të paktën më shumë se Mesi. Ai zëvendësohet nga Genti Caka, me origjinë nga Kosova dhe numri dy aktual i ministrisë së Bushatit. Një tjetër kosovare, Besa Shahini do të ulet në karriken e lënë bosh nga Lindita Nikolla. Edhe kjo ngjitet nga numri 2 brenda të njëjtit dikaster.
E për ta mbyllur “pjesën e parë” të ndryshimeve i plotfuqishmi Arben Ahmetaj do të zëvendësohet nga Anila Demaj, e cila vjen nga drejtimi i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Belinda Balluku, kërcen nga drejtimi i Aviacionit Civil tek karrikja e Damian Gjiknurit. Sipas gjasave, ndikim jo të vogë ka patur edhe sajimi i markës “Air Albania”, me të cilin Rama bëri marketing jo të vogël politik.
“Pjesa e dytë” e ndryshimeve, janë totalisht “supë e ringrohur”. Bledi Çuçi rikthehet në krah të Ramës si ministër, duke zëvendësuar Niko Peleshin. Eduart Shalsi, edhe ai ish- ministër më herët, rikthehet duke zëvendësuar Sonila Qaton si Ministre e Sipërmarrjes. Elisa Spiropali, pas Doganave ku iku apo u shkarkua nga Rama, pasi mori mandatin e deputetes në 2017-ën, ulet edhe në karrike ministri. Do të merret me marrëdhëniet e qeverisë me parlamentin.
Surpriza e vertetë e ndryshimeve është ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, e cila do të pasohet në detyrë nga Elva Margariti. Rama ke vendosur rokadën, duke i besuar këshilltares së tij, siç ka ndodhur edhe me disa emra të tjerë nga lista e ndryshimeve.
Ndërkohë, ministri Blendi Klosi dhe ministrja Ogerta Manastrliu, e kanë “pas veshit”, si i themi ne në Shkodër. Rama u ka dhënë afat deri në qershor për të realizuar “detyrat”.
E fundit krejt. Është e qartë se me një kryeministër si Rama, ministra jo politikë, kanë shanse zero të veprojnë në bazë të parimeve. Duke nisur nga Sandër Lleshaj dhe të tjerët që u prezantuan sot, thjesht do të jenë “noterë” të ideve të Ramës në dikasteret respektive. Nga ana tjetër, ndryshimet e sotme bëhen jo në emër të thelbit, substancës, që punët të ecin më mirë. Është thjeshtë një përpjekje për të ndrequr në imazh. Madje, duke dalë përtej politikës. Mbase e teprojmë, por ndryshimet jo vetëm janë jo të studiuara nga Rama, por janë bërë nën trysninë e protestave të studentëve. /Sokol N. Sokoli/