“Hap i madh drejt fitores së qershorit”. E ka deklaruar vetë kryeministri, duke komentuar, mbase pak i nxehur, ndryshimet e 7 ministrave në qeverinë e tij. Në total 8, me rikthimin e ministrit të shtetit për marrëdhëniet me parlamentin.
Sot Edi Rama u tha shqiptarëve se ndryshimet në qeverinë e tij, nuk janë në funksion të mirëqeverisjes së vendit. Largoi 7 ministra që për 1 vit e gjysëm gati, nuk arritën objektivat që ai u kishte vënë dhe afroi po kaq, të cilët kanë kohë më pak se 5 muaj për të arritur objektivat që nuk arritën paraardhësit. Sepse kryeministri e tha vetë se sot hodhi një hap të madh drejt fitores së qershorit. Pra këta ministra, janë vënë aty për të qënë gur themeli i kësaj fitoreje. E si mund të garantohet fitorja?
Në Shqipëri ka dy rrugë: Fitorja të merret “në tavolinë” duke blerë vota ose, qeveria të punojë aq mirë sa të bindë shqiptarët ta votojnë forcën politike që përfaqëson për pushtetin vendor. Alternativa e parë, ajo e fitores përmes blerjes së votës, mund të verifikohet vetëm pas 30 qershorit. Siç ka ndodhur edhe më herët. Ndërsa alternativa e dytë, ajo e fitores përmes punës së shkëlqyer të ministrave të rinj, praktikisht është ngjarje e pamundur. Edhe pse duket e besueshme se ministrat jo politikë, thuajse anonimë, do të jenë thjeshtë cerfifikues të orientimeve të Ramës në dikasteret që “me letra” do të drejtojnë. E nuk ka si ndodhë ndryshe, teksa një tufë sish, vijnë si ministra pasi kanë qenë këshilltarë e vartës të kryeministrit.
Sipas shefit të qeverisë dhe zyrës që kuron imazhin e tij në publik, edhe këtë herë shqiptarët do “ta hanë sapunin për djathë”. Do ti besojnë timonierit edhe në fushatën e këtij qershori, siç i besuan edhe në qershorin e para dy viteve më parë. Të shohim nëse propaganda qeveritare do “të bindë” shqiptarët edhe këtë herë, siç ndodhi në qershor 2017.
Edhe sot, Rama e tregoi qartë se për pushtet, është i gatshëm për çdo gjë. E tregoi me Bashën në marrëveshjen e majit 2017. Ishte një lojë e mirëllogaritur e tij, edhe me bekimin e disa ndërkombëtarëve, por pranoi të ndërtojë një qeveri të përçudshme që nuk do ti vijë kurrë më Shqipërisë. Vetëm për të realizuar skemën e tij të mbajtjes së pushtetit. Edhe në fushatë, i vetmi refren që mbajnë mend shqiptarët është “më jepni timonin të qeveris i vetëm”. Teorikisht, shqiptarët ia dhanë. E çfarë ndodhi? Pa u mbushur 1 vit e gjashtë muaj, timonieri përplasi keq autobusin e tij, duke lënë “të vdekur” 7 ministra. Madje edhe vetë numrin 2 të qeverisë. Pas këtij “aksidenti” pa vajtur akoma në mesin e rrugëtimit, kryeministri do të kërkojë një tjetër timon. Pasi ka monopolizuar pushtetin qendror, kërkon të njëjtën gjë edhe për pushtetin vendor. Edhe atë, sipas gjasave, për “ta përplasur” pas disa muajsh siç ndodhi me autobusin që shqiptarët i besuan në 2017- ën.
Pas marrjes së mandatit të dytë, Rama po shfaqet thjesht si aventurier. Si një timonier “i dehur”, që nuk e ka problem të përplasë as autobusin që i kanë besuar shqiptarët. Jo vetëm kaq. “Të vdekurit” në aksidentet e tij si timonier, i zëvendëson me “të vdekur të pakallur”, siç janë pjesa dërrmuese e 8 ministrave që hipën në autobusin e tij duke rrezikuar “jetën” si paraardhësit.
Nuk e kam pohuar asnjëherë, por me këtë etje në rritje për akumulim pushteti, jo vetëm në nivel qendror por tanimë edhe atë lokal, Edi Rama po bëhet i rrezikshëm. Sepse për të arritur qëllimin e tij, ai është i gatshëm të përplasë jo vetëm autobusin e tij të vogël, por edhe autobusin e madh me emrin Shqipëri. /Nga Blerti DELIJA/