Situata aktuale, pavarësisht ngarkesës së lartë politike, krijojnë edhe skena humori. Në një nga lokalet e njohura, në katin e parë, një nga grup- seksionet e PD-së kishte organizuar një takim për shqyrtimin e mundësive për të nxitur njerëzit që të mos votojnë me 30 qershor. Në katin e dytë, në të njëjtin lokal, PS-ja lokale mbante një tjetër takim organizativ, për të nxitur njerëzit të marrin pjesë masivisht në votim. Në nxitim e sipër, pak me vonesë nga orari i caktuar, një i ri demokrat në vend që të hynte në takimin e PD-së, futet në atë të organizuar nga PS. Ulet në karrike, habitet paksa sepse nuk njihte thuajse askënd në sallë. Me shpresën se do të vijnë nga ata që njihte, i riu pret me durim dhe dëgjon. “Siç na ka porositë edhe kryetari jonë dhe kryeministri, duhet të përpiqemi të bindim njerëzit të votojnë…”. Në këtë moment, i riu është kthjelluar, e ka kuptuar se ishte në vendin e gabuar dhe ngrihet në këmbë: “Më falni, por qenkam në ambjentin e gabuar…Rama ik!”, dhe është larguar drejt të tijëve i ndjekur pas nga të qeshurat e pashmangshme të të gjithë socialistëve në sallë. Thuajse në të njëjtën kohë, në sallën ku ishin mbledhur përfaqësuesit e PD-së, futen në sallë dy të rinj, një vajzë dhe një djalë. Ecin në drejtim të vendeve bosh deri sa një nga të pranishmit në sallë është ngritur në këmbë pasi ka kuptuar se dy të rinjtë kanë gabuar ambjent. Demokrati i drejtohet dy të rinjve: “Na këtu moj motër, jemi për Rama ik”. Si në rastin e parë, edhe këtu situata e krijuar ka ngjallur ilaritet dhe të qeshura në sallë. /ShkodraWeb/