Është ndarë nga jeta Nexhmi Bushati, “Mësues i merituar” dhe studiues i njohur në Shkodër dhe përtej. Kontributi i tij për edukimin e brezave është shumë i vyer siç edhe përpjekja për të hulumtuar e nxjerrë në dritë shumë të verteta të fshehura nga pluhuri i harresës dhe 45 vitet e diktaturës së egër në Shqipëri. Me 1 maj të këtij viti, ai do të festonte 94- vjetorin e lindjes.
Janë të shumta mesazhet në rrjetet sociale për ndarjen nga jeta të profesor Nexhmi Bushatit, por ne kemi zgjedhur të përcjellim tek ju publikimin e ndjerë të vajzës së tij, Bora Bushati:
Babë, sot na ke ke mërzitë… vendose me na lanë përgjithmonë. U shuve duke lanë prapa trishtim e njikyt boshllëkun, nji boshllëk që dhimbka, që nuk di me i vu as emën. Të ishe ti, po ti kishe ditë me e shprehë dhimbjen në fjalë. Po ti nuk je e unë nuk kam kë me pyet ma.
Koha asht ndalue itash për mu, se për momentin nuk arrij e as nuk du me përfytyru ça do jetë pas ditës të sotme, pa babin. Kur të vi sonte në shpi, nuk kam me të gjetë te qoshja jote.
Mes lotëve e ngushëlloj vedin se ti ike i rrethuem nga njerezit e tu ma të dashtun. Ti kishe afër mamin, që të dedikoi shërbim me nji përkushtim pothuajse deri në vetëflijim – e ti me atë natyrën e mirësjelljen tande e falenderoshe, kajherë biles i thoshe: Ma ban hallall, se të lodha.
Ti kishe afër Ledin, e ajo bani të pamujtunën që ti, megjithëse pamundësisë fizike tanden të jetoshe deri në ditën e fundit në dinjitet, siç e meritoje, Ledi nuk e hupi asnjë ditë besimin tek ti.
Ti ishe i rrethuem me dashurinë e Erës e Korabit, mbesa e nipi, të dy kanë trashëgu fisnikërinë, mirësinë e rrezatimin tand. Ti kishe deri në momentin e fundit afër Eric, dhandrin që e vlerësoje fort për respektin e mbështetjen e tij.
E ngushëlloj vedin, se jo vetëm që jetove gjatë, po pate edhe një jetë të mbushun. Ti dite me i dhanë kuptim çdo ditë në jetën tande, megjithë vështirësive e vuajtjeve. E unë këtë me kureshtjen, vizionet e idet për projektet që kishe, pasionin për punën e mësuesit, etjen për njohuri, për të mësue të reja, këmbëngulja prej çeliku do thoja për të arritë ça kishe vu në plan (e paharrueshme mbetet për mu kur ti në moshën 80 vjeçe mësove gjermanisht e dhe provim në Austri, duke e marrë pozitiv!)
Ti na ban krenarë për emrin që kena! Drita jote ka me vazhdu me ndriçue për ne! Të jena mirënjohjës në përjetësi! Lamtumirë i dashtun babi!