
Më 25 mars 1945 Shkodra e tmerruar asistonte pushkatimin e parë nga diktatura komuniste të një kleriku katolik, i cili u pashkatua bashkë me 13 burra të tjerë, mes të cilëve edhe Prek Cali, pas murit të varrezave katolike të Rrmajit.
Don Ndre Zadeja lindi në Shkodër me 3 nëntor 1891 dhe ishte dramaturg, poet e prozator. Faji i tij i vetëm ishte se më datë 16 gusht 1944 me rastin e festës së Shën Rrokut, që kremtohej në Shirokë, ai iu drejtua besimtarëve:
“Dy fjalë i kam sot me ju, sidomos me ju o të rij. Një re e zezë me një ideologji të kuqe po vjen mbi kokat tueja. Ajo ka ndërmend të shprazet mbi ju, por atëherë s’keni për të pasë shka me i ba, veç me bajtë e me i sprovue të këqijat, se përveç të zezave të tjera që ka, ajo mohon edhe Zotin.”
Ndërsa Prek Cali udhëhoqi kryengritjen e Kelmendit që u zhvillua më 12 dhe 13 janar të vitit 1945. Pas dështimit të saj, më 17 janar iu dorëzua Batalionit IV të Brigadës XXIII.
Gjyqi kundër Calit filloi më 28 shkurt 1945, u akuzua se «në bashkëpunim me gjeneral Parianin dhe Melonin, duke përgatitur pushtimin e vendit nga Italia fashiste, se ka bashkëpunuar me regjimet e kaluara, se ka qenë armik i përbetuar i lëvizjes Nacionalçlrimtare».