Sporti shkodran dhe ai shqiptar kanë humbur mëngjesin e sotëm një prej legjendave të mundjes, pikërisht Mirash Vuksanin. Kollosi i tapetit, është ndarë nga jeta në moshën 84 vjeçare duke lënë padiskutim pas një karrierë të suksesshme. Dhe jo vetëm kaq, por edhe imazhin e një njeriu të rrallë. Mirash Vuksan ka lindur në vitin 1935 dhe me mundjen në fakt merret rastësisht duke e nisur atë në moshë disi të madhe. Por e nisi menjëherë si një kampion i madh. E fillon karrierën me Partizanin me të cilin bën sport nga viti 1960 deri më 1965 dhe është një kampion i padiskutueshëm.
Më pas, kthehet në Shkodër dhe konkurron për Vllazninë, me të cilën sukseset do të vazhdojnë. Në peshën e tij mundja klasike nuk njeh kampion tjetër. E nis karrierën si kampion dhe do ta mbyllte si i tillë. Forca fizike, u alternua mjaft mirë me teknikën dhe për rrjedhojë Mirash Vuksani nuk njihte rivalë në tapet. Edhe pas lënies së sportit, vlerësimet për këtë figurë nuk kanë munguar teksa është cilësuar si “sportisti i shekullit” nga Sportklub Vllaznia dhe po ashtu, ka marrë edhe shumë vlerësime të tjera.
Me ndarjen nga jeta te tij, sporti shkodran dhe ai shqiptar kane humbur nje LEGJENDE. Ceremonia e varrimit te tij do te zhvillohet diten e premte në orën 14.00. /TV Rozafa/