Shpëtim Lame, aktualisht koordinator i LSI-së për Qarkun Shkodër, ndahet nga jeta në moshën 65- vjeçare. Mësohet se ai humbi betejën me një sëmundje të rëndë me 9 mars, ndërsa sot do të përcilllet në banesën e fundit në vendlindjen e tij.
Lame ishte me profesion mësues dhe në këtë profesion, u përball me mjaft vështirësi deri në përçimin e dijes në Dukagjinin e thellë. Në vazhdim, ai ishte drejtor shkolle në Shkodër e më vonë, edhe si drejtor rajonal i Arsimit. Menjëherë pas çlirimit të Kosovës, Shpëtim Lame do të ishte ndër diplomatët e parë atje, ku jetoi edhe 17 vite duke fituar respektin e politikës dhe intelektualëve, i spikatur për intelektin dhe integritetin e tij të lartë. Më vonë, ai ishte edhe drejtor i Hipotekës në Shkodër. Në zgjedhjet e 2017-ës ishte kandidat për deputet në listën e LSI-së në Shkodër popr edhe koordinator për qarkun e Shkodrës.
Shpëtim Lame ishte mjaft aktiv edhe me opinionet e tij, duke u shprehur jo vetëm në studiot televizive ku ftohej shpesh, por edhe në rrjete sociale ku dallohej për stilin e drejtpërdrejtë por edhe finesën e mendimit. Pikërisht në rrjetet sociale, mesazhet e ngushëllimit por edhe vlerësmet për Lamen, janë të panumërta.
ShkodraWeb i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmëve, miqve e të njohurve të Shpëtim Lames.