“Mosdekretimi i Kryeprokurorit, mund ta dërgojë presidenten në dorëheqje”, ish- kryekomunari paralajmëron Vjosa Osmanin

Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë kërkesat e Shqipdon Fazliut dhe Armend Hamitit, që të dy kandidatë për Kryeprokurorë të Shtetit, të cilët e kontestonin kushtetutshmërinë e vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për propozimin e Blerim Isufajt në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Sipas avokatit Agron Kuçi ky proces nuk guxon të mbarojë më kaq, dhe mund ta dërgojë Kosovën në zgjedhje parlamentare.


“Duke mos e dekretuar kandidatin për Kryeprokuror, pas ankesës potenciale nga Këshilli Prokurorial i Kosovës në Gjykatën Kushtetuese, gjykata konstaton shkelje të Kushtetutës për mosdekretim nga ana e presidentes, dhe si pasojë do të kemi dorëheqjen e presidentes dhe zgjedhje të reja parlamentare. Sidoqoftë hall i madh, Zoti t’ndihmoftë Presidente!”, ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook” ish-kryetari i komunës së Junikut, Agron Kuçi

Postimi i plotë i tij:

Pas një procesi të stërgjatur për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Kosovës si institucion i pavarur shtetëror, proces që është manifestuar me presione politike nga Qeveria e Republikës së Kosovës, kinse për shkak të shkeljeve ligjore gjatë procesit zgjedhor me tendencë për ta rikthyer në pikën zero.
Tashmë pas vendimit nga Gjykata Kushtetuese për kandidatët ankimues për Kryeprokuror; se Ligji për Këshillin Prokurorial dhe Rregullorja për emërimin e Kryeprokurorit janë zbatuar drejtë nga Paneli Vlerësues dhe se kërkesat e ankimuesve janë të papranueshme, sepse nuk janë shterur mjetet juridike ligjore.

Presidenti i vendit si sinonim i unitetit të popullit në bazë të Kushtetutës, ka përgjegjësi të veçantë, ta dekretojë ose jo Kryeprokurorin, pas propozimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Për më tepër presidentja Osmani ndodhet para një dileme Hamletiane “të jesh apo të mos jesh”, realisht presidentja Osmani ndodhet para një situate sa ligjore aq edhe politike, ta dekretoj Kryeprokuror z. Blerim Isufaj e të mos bëjë shkelje kushtetuese dhe ta hidhërojë qeverinë Kurti, gjë që pastaj do të shkaktonte krizë politike që do të kishte konsekuencë prishjen e koalicionit mes Listës Guxo dhe Lëvizjes Vetëvendosje, apo ta shlyjë borxhin politik, besa edhe moral ndaj kryeministrit Kurti, pa ndihmën e të cilit sot nuk do të ishte Presidente e vendit.

Duke mos e dekretuar kandidatin për Kryeprokuror, pas ankesës potenciale nga Këshilli Prokurorial i Kosovës në Gjykatën Kushtetuese, gjykata konstaton shkelje të Kushtetutës për mosdekretim nga ana e presidentes, dhe si pasojë do të kemi dorëheqjen e presidentes dhe zgjedhje të reja parlamentare.

Sidoqoftë hall i madh, Zoti t’ndihmoftë Presidente!