Çuditë në këtë vend nuk kanë të sosur. Aktualisht një zyrtar i lartë i rëndësishëm i qeverisjes së PS-së, por pas pak ditëve mund të jetë në Kuvend si deputet i opozitës, madje përfaqësues i PD-së. Bëhet fjalë për Lefter Maliqin, një person i rreshtuar në listën e PD-së në Berat dhe që ka paralajmëruar më herët se do të marrë mandatin e lënë bosh nga dorëheqjet në grup të deputetëve demokratë. Me ligjin, çdo gjë duket në rregull, por me moralin, kjo çështje “fut ujë” nga të gjitha anët.
Lefter Maliqi, ish-kandidat i Partisë Demokratike në qarkun e Beratit ka dorëzuar sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve formularin e dekriminalizimit dhe për rrjedhojë pritet të përfitojë mandatin e deputetit. Lefter Maliqi prej kohësh është “divorcuar” me Partinë Demokratike dhe ai aktualisht është emëruar ën detyrë si zv.drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve.