Mësohet se në mes personave të shoqëruar në Tiranë, është edhe një protestues nga Shkodra. Sipas burimeve jozyrtare nga policia, ai është Pëllumb Shelna. Mësohet se ai është marrë nga shtëpia e tij në Grudë dhe menjëherë është shoqëruar për në Tiranë. Sipas të njëjtave burime, Shelna është marrë në pyetje ashtu si 20 të shoqëruarit e tjerë të protestës.
Ndërkohë, një informacion i çuditshëm po qarkullon jo zyrtarisht në Shkodër. Duket e pabesueshme, por policia kërkon të shoqërojë edhe drejtorin e Policisë Bashkiake të Shkodrës, Anton Hasanpapaj. Në rastin më të mirë mund të quhet lajthitje dhe në rastin më të keq presion i hapur. Hasanpapaj është i fotografuar duke qëndruar bashkë me persona të tjerë në mbrojtje të punonjësve të Policisë së Shtetit, foto që është në internet prej mëse 6 orësh dhe madje, vlerësohet roli i tij në mbrojtje të kolegëve. Gjithsesi, urojmë që të jetë ndonjë gabim ose informacion i pasaktë…?! /ShkodraWeb/