Disa prej 20 protestuesve të shoqëruar nga policia janë prangosur mbrëmjen e sotme, për shkelje të ligjit për tubimet dhe dëmtim të pronës publike. Nga kamerat e sigurisë disa prej të shoqëruarve kanë rezultuar të jenë pikërisht personat që kanë kryer këto akte gjatë protestës dhe janë vënë në pranga.
Në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ka pasur debat e përplasje mes deputetëve të Partisë Demokratike dhe policëve. Bohet me dije se deputetët e PD-së kanë kërkuar të takojnë protestuesit brenda ambienteve të Drejtorisë së Policisë, por oficerët e policisë i kanë ndaluar.
Deputeti i PD-së Flamur Noka pasi doli nga Drejtoria e Policisë tha se numri i protestuesve të arrestuar është 7.
Ai tha ndër të tjera se policët e krerët e tyre i kanë gjetur duke konsumuar uiski e vodka.
“E gjithë kupola e policisë la deputetët 1 orë këtu pa përgjigje. Menduam se kishin punë, por kur u ngjitëm sipër çfarë gjetëm? Kupola e drejtorisë, drejtrorë e vartës i gjetëm si një tufë derrash të zhgërryer në uiski, vodka dhe red bull. Kemi pamje filmike se si janë dhunuar të ndaluarit”,- tha Noka.
Një nga prindërit e njërit prej protestuesve të shoqëruar tha se djali i tij është me probleme mendore.
“Djalin ma kanë marrë sot në orën 5 e gjysmë. Po ka qenë në protestë. Djali im është invalid me çrregullime mendore”, tha ai.