![](https://www.shkodraweb.com/wp-content/uploads/2019/03/nano-rama.jpg?x28643)
Lideri historik i socialistëve duhej të ishte i pranishëm në kongresin elektoral të partisë që e drejtoi nga konvertimi deri në vitin 2005. Madje edhe në periudhat më të vështira të saj, edhe nga burgu ku qëndroi rreth 4 vite.
Fatos Nano do të jetë në kongres por nuk do të marrë fjalën! Kështu deklaruan publikisht të paktën dy socialistë jo pak të rëndësishëm si Elisa Spiropali dhe Alfred Peza.
Por shumë vetë e panë me dyshim këtë prani të çuditshme të Fatos Nanos. Të jetë i pranishëm dhe paraprakisht të lajmërohet se nuk do të marrë fjalën?! A mund ta pranonte këtë kusht lideri historik, madje edhe karizmatik dhe nostalgjik i socialistëve shqiptarë?!
Fatos Nano nuk pranoi. Nuk shkoi, nuk e pa askush! As në sallë, as në sheshin e Erionit dhe as në hollin e Pallatit të Kongreseve. Ish- kryeministri vazhdoi të ruajë staturën e tij të mirëkrijuar nga viti 2005 kur iku duke i hapur krahun Edi Ramës në krye të PS-së dhe nga 2009-a, doli në hije duke mos qendruar as në Kuvend.
Fatos Nano sot përcolli mesazhin e tij të qartë se PS-ja që i la Ramës, është tjetërsuar në Rilindje. Ata që sot marrin përsipër të flasin për praninë e tij me gojë të mbyllur në kongres, si Spiropali ashtu edhe Peza, nuk janë socialistë por rilindas.
Fatos Nano tregoi sot se askush nuk mund ta përdorë si fasadë, sidomos për interesa që nuk kanë lidhje me partinë për të cilën sakrifikoi shumëçka, edhe nga vetja e familja e tij. Prania e tij në sallë sot, do të ishte një bonus i madh por i pamerituar për Ramën.
Fatos Nano vazhdon të jetë i vetmi në politikën shqiptare që ka lejuar garë në partinë e tij. Jo vetëm kaq! Ka hequr dorë nga kryetarllëku, nga qeveria dhe përmes votimit është rikthyer por duke mos përjashtuar askënd. Ky standart është asgjësuar prej vitesh tashmë, duke e kthyer PS-në në partinë- bunker simbol të politikës shqiptare.
Fatos Nano dha mesazhin e qartë se opozita është aset i rëndësishëm i Shqipërisë. Edhe kur e nxorri me forcën e armëve nga Kryeministria në 1998-ën, edhe pse e burgosi (padrejtësisht sipas gjykatave shqiptare që i dhanë pafajësi) 4 vjet, në 2005-ën shteti për herë të parë do të dorëzohej “me dosje”, traditë që e vazhdoi edhe Berisha në 2013-ën.
Fatos Nano nuk është nuk është me opozitën, deri sa personalisht ta pohojë këtë. Por ai sot tregoi se nuk është as me Edi Ramën dhe mungesa e tij foli vertetë shumë. /Shënim i ShkodraWeb/