
Nga 2005-a e këtej, “Shqipëria parlamentare” me kryeministër të fortë dhe me deputetë “kartona” ka dhënë prova mjaftueshëm në dështimin e këtij sistemi. Një kryeministër që bën “salto mortale” nga e djathta në të majtë për të siguruar 4 deputetë për të mbajtur edhe 4 vite në këmbë qeverinë- rasti i Berishës në 2009-ën dhe një tjetër që përdor çdo mjet për të siguruar një mandat të tretë- rasti Rama sot, janë dy ekstreme që nuk kanë nevojë për shumë analiza.
Përralla të tipit “më ka votuar populli” është akoma shumë shpejt të besohen në një realitet si Shqipëria ku vota është më e lirë se çdo mall dhe peshohet me një thes të vetëm mielli që mbyll vetëm për një muaj varfërinë e një familje me 4-5 antarë.
Nuk besoj se ka akoma shqiptar me të drejtë vote por edhe ata që presin në rradhë të ushtrojnë të drejtën e votës kur tu vijë mosha, që nuk i kanë kuptuar këto fakte që i kemi perjetuar dhe po i përjetojmë në kurriz.
Pikë së pari, të gjithë duhet të biem dakort se mentaliteti shqiptar, ai “i njëshit” të pakontestueshëm, është ngulitur genetikisht ndër ne. Ajo që mund të bëjmë, është ngushtimi i hapësirës së këtij “njëshi” që të gjithë e shajmë, por të gjithë e adhurojmë dhe e mbajmë mbi supet tona në pushtet. Ngushtimi i hapësirës mund ti bëhet vetëm një individi, por jo një trupe kolegjiale që është parlamenti apo qeveria. Një parlament mund të zgjedhë pafundësisht kryemnistër një lideri politik të një partie që fiton zgjedhjet “alla shqiptarçe”. Sepse në asnjë vend të botës, kryeministrit nuk mund ti ngushtohet mandati: një, dy apo tre herë kryeministër dhe pastaj në pension. Veç kësaj, kryeministri nuk zgjidhet direkt nga populli por një “tufë” deputetësh që janë në këtë pozicion të privilegjuar pikërisht nga vullneti i këtij kandidati- kryeministër. Rrethi vicioz rrezikon të zgjatet pafundësisht: Të garantoj vend të sigurtë në listë për deputet, më mbështet me votë në parlament të sundoj si kryeministër. Kjo, edhe me subjekte të ndryshme, që bien në “godi” përmes pazareve pushtetndarëse.
Në mënyrë urgjente duhet ngushtimi i hapësirës së mandatit për të “gjithëpushtetshmin”. Sistemi më i mirë, për sa thamë më sipër, është ai i “Shqipërisë presidenciale”. President i zgjedhur direkt nga populli- jo me pushtet të geleguar përmes parlamentit që shit- blihet pa teklif, me fuqi ekzekutive do të ishte zgjidhja më e mirë. Sado “i dashuruar” me pushtetin, një president mund të abuzojë vetëm dy mandate, të cilat nga 2×5 që janë sot, mund të shkurtohen në 2×4. Më pas, në pension.
Natyrisht, ndarja e pushteteve kërkon edhe kontrollin mbi qeverinë presidenciale. Një parlament dydhomësh, nuk është një risi por një ide e elaboruar tashmë deri në detaje. Deputetë që zgjidhen në zona njëemërore, “kokë për kokë” dhe një senat, i formuar në bazë të preferencave politike të qytetarëve. Senati, si një trupë e pastër politike, mund të sherbejë si filtër, ku konsensusi bëhet thuajse i detyrueshëm. Një trupë që mund të filtrojë paraprakisht emrat e ministrave dhe më pas, deputetët në Dhomën e Përfaqësuesve, mund të miratojnë ligjet. Pra, përmes Senatit (vullnet politik i shqiptarëve) kontroll i qeverisë dhe përmes Dhomës së Deputetëve (përfaqësues direkt të qytetarëve) hartim, shqyrtim i ligjeve. Në raste të parashikuara me kushtetutë, me shumicë të cilësuar, Senati dhe Dhoma e Deputetëve, mund të shkarkojnë presidentin- kryeministër, që edhe ai ta kuptojë se nuk është i plotfuqishëm i pakontestueshëm.
Ajo që mendoj se duhet bërë me urgjencë, është implementimi edhe i zgjedhjeve të “mesmandatit” siç quhen në SHBA. Ne shqiptarët jemi në popull që harrojmë shpejt por zhgënjehemi edhe më shpejt. Të paktën Senati ose Dhoma e Deputetëve duhet të rinovohen me 1/3 e tyre pas dy viteve nga zgjedhjet. Mirë do të ishte rinovim i të dy dhomave. Vështirësi do të kishte vetëm në aplikimin për herë të parë të tyre, ndërsa më pas, veç të tjerave, “mesmandati” do të kishte edhe efektin e një “valvule shkarkimi” të pakënaqësive të akumuluara.
Cila mund të ishte një skemë e mundshme e kësaj “Shqipërie presidenciale”?
Dhoma e Deputetëve mund të formohej nga 100 deputetë, në po kaq kolegje apo zona njëemërore. Fituesi duhet të marrë në turin e parë apo të dytë (nëse ka balotazh) jo më pak se 50% të votave të përgjithshme, ku pjesëmarrja duhet të jeë taksative, jo më pak se 50% e atyre që janë rë regjistruar në lista. Kjo rrit ndjeshëm peshën e deputetit, duke mos qenë thjesht një “karton”.
Senati mund të ketë 40 senatorë, të ndarë në nivel rajonal ose me lista kombëtare, në bazë të përqindjeve që marrin subjektet politike- pra logot e partive. Mund të ruhet edhe ndarja aktuale me 12 kolegje apo zona zgjedhore.
Kandidati per president duhet të dalë nga gara brenda subjektit politik që merr përsipër të përfaqësojë. Kandidati jashtë subjekteve politike, duhet ti nështrohet mbledhjes së firmave nga qytetarët, jo më pak se 5% e totalit të zgjedhësve në lista. Vetëm pasi të kalojnë këto faza, kanditatët mund të regjistrohen nga KQZ-ja për të nisur garën zyrtare. Për të garantuar një president të fortë, në turin e parë fiton ai që merr një shumicë të cilësuar, 60% të votave. Vetëm në turin e dytë apo balotazh, fiton ai që merr jo më pak se 50% dhe me një pjesëmarrje jo më pak se 50% të atyre që kanë të drejtë vote në listat e zgjedhësve.
Emërimet në nivelin e lartë të drejtësisë, Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë e Lartë por edhe institucione të tjera kushtetuese, duhet të kalojnë në dy filtra: Dhomën e Deputetëve dhe Senatin, duke mbërritur si propozime të presidentit pasi janë shqyrtuar më parë në organet e tjera kolegjiale profesionale si KLGJ, KLP e me rradhë. Madje, njëri nga flitrat Dhoma e Deputetëve ose Senati, duhet të parashikojnë shumicë të cilësuar në votimet e para për të nxitur konsensusin apo kompromisin.
Por nëse do të nisë, çdo gjë duhet të nisë nga administrimi i zgjedhjeve në vend. Urgjentisht duhen hequr nga duart e politikës KQZ-ja, KZAZ-të, GNV-të, KQV-të e të gjitha. KQZ, në shembullin e Kolegjit Zgjedhor aktual, mund të përbëhet nga gjykatës. Edhe KZAZ-të, me të njëjtën përbërje. Nivelet më poshtë, mund të formësohen nga individë që plotësojnë kritere. Por kritere të shpallura para emrave të njerëzve që duhet ti përmbushin ato. Mundësisht, me profil të spikatur publik, integritet dhe sa më pranë jurisprudencës.
E gjithë kjo është një punë voluminoze. Por nëse herën e parë, kryhet me korrektesë dhe larg interesave të ngushta të ditës të disa individëve, do të japë fryte shumë më të shëndetshme se sistemi që këto 29 vite ka dështuar me sukses. Hapi i parë fare, mendoj se duhet të jetë kantonizimi. Pavarësisht se dikush mund të trembet, të kthejë sytë nga Zvicra. Parlamente rajonale, qeveri rajonale që vetëadministrojnë resurset në territor dhe i shkëmbejnë me rajonet apo kantonet e tjera. Por kjo natyrisht është temë tjetër. /Nga Blerti DELIJA/