Nga Blerti Delija
Edhe sot kryeministri ynë i është kthyer melodisë së tij të preferuar të “mediave të kazanit”. Pasi i ka anatemuar për një vit të tërë, edhe në daljen e tij të fundit për 2017-ën Edi Rama sërish i ka kujtuar gazetarëve përballë “kazanin”. E natyrisht, si rrogëtarë, gazetarët nuk kanë asnjë mundësi tjetër veç qëndrimit në sallë nëse duan të vijojnë të firmosin në ndonjë bordero si të tillë.
Kryeministri ynë aktual e nisi “karrierën” si publicist me të famshmet “Letra nga ferri” dhe guxoi të përballej verbalisht me bosët e mediave me shprehjen e famshme “Të fala Sandrit”. Sot, personazhi që Rama i dërgonte të fala si kryebashkiak i Tiranës, është ndër më të afërtit e kryeministrit. Sigurisht, në pjesën jo shumë të dukshme dhe më të rëndësishme: biznesin!
Edi Rama e di mirë situatën e mediave në vend. E di edhe përmes Endri Fugës, i cili ka qindra lidhje direkte dhe indirekte me VIP-a të gazetarisë por edhe pronarë mediash. Numërohen me gishtat e dorës mediat që akoma nuk janë në “njohjet” e Fugës. Pushteti kryeministror ka përkulur deri në thyerje të gjitha mediat më të rëndësishme në vend. Përndryshe Rama nuk do të kishte guximin ti sulmonte publikisht, rregullisht e për një kohë relativisht të gjatë. E kush, një person që njihet si një nga më mediatikët e historisë 27- vjeçare. Madje, edhe imazhin e tij e ka ndërtuar falë mediave që për hit të realitetit, i ka shfrytëzuar mjaft mirë.
Edi Ramës i intereson situata aktuale në media. I intereson “rrumpallëhanja” që mbizotëron sidomos mediat e rendësishme sepse ato të voglat i duhen atij ose “ramëve” të vegjël vetëm për fushata. Shefit të qeverisë i intereson që gazetarët të jenë të pasigurtë në punën e tyre, për rrogën e tyre, për të ardhmen e tyre. Sepse kështu e kanë më të lehtë të jenë nën peshën shtypëse të bosëve- zotër. Nën këtë peshë, nuk ka nevojë për censurë. Janë vetë gazetarët që “përshtaten” vetiu me interesat e pronarëve duke zhvilluar autocensurën.
Në asnjë vend të botës një kryeministër nuk do të guxonte kaq shumë ndaj mediave të vendit të tij sa Rama. Në fakt, asnjë homolog i tij, as në Afrikë, nuk do merrte guximin ta sillte ndër mend. Për një arsye të thjesht[ dhe që lidhet pikë së pari me formimin individual e më pas me ndarjen e pushteteve, ku media rreshtohet i katërti. Por Rama justifikohet me situatën në media aktualisht, të cilën po vetë e sponsorizon të mbetet e tillë duke krijuar një rreth vicioz që nis e përfundon me të. Natyrisht, me ndihmën e bosëve të mediave. Përballë bonuseve kryeministrore, një aset mediatik në shërbim të kryeministrit të rradhës nuk ka asnjë lloj kostoje për pronarët. E kështu, në finale, nuk është e vështirë të kuptosh se pëballë mediave të kazanit kemi një kazan- kryeministër. Nga 25 qershori, shqiptarët i besuan edhe timonin. Kështu që kazan- kryeministri është një shofer që po na drejton aty ku ai ka dëshirë. Me ndihmën e mediave të kazanit që janë kapur peng nga shefi i qeverisë. Madje me timonin e 25 ershorit në dorë harron se edhe Hitleri, Duçja dhe Enveri kaluan në të njëjtën rrugë të pushtetit nga populli. Sepse populli sot nuk vendos dot… Diku e blejnë e diku e vjedhin! Në sytë e mediave të kazanit për të ngritur sa më lart një kazan- kryeministër…me timon në dorë!