Edi Rama ka nisur zyrtarisht fazën e dytë të përdorimit publiko- mediatik të situatës së pandemisë në vend. Ka qenë një status me jo shumë fjali por me një mesazh të fortë: Kerkesë publike faljeje për të gjitha ato që ka thënë gjatë fazës së parë të administrimit publiko- mediatik të korona virusit.
Nuk është e vështirë të kuptohet se kjo është skema e parapërgatitur nga shefi i qeverisë, me synim zgjedhjet, të afërta apo të zakonshme. Sot, kur e gjithë Europa e bota po shkon drejt rihapjes apo bashkëjetesës me virusin, nuk ka rrugë tjetër as për Ramën.
Nuk mund ti trembë, të paktën tani për tani, shqiptarët me luftë, armik të padukshëm, makinë për grirje mishi e të tjera makabritete që asnjë kryeministër, as në Afrikë, nuk i nxorri nga goja për gati 2 muaj për të intimiduar popullin e vet. Rama nuk mund ti largohet skemës së përbotshme, të imponuar apo të zgjedhur, të qasjes nga COVID-19. E natyrisht, nuk ka mundësi tjetër, veçse të shfaqet “i penduar”.
Ku ka më bukur se një “mea culpa”, pas një pune shumë “të lodhshme” dhe suksesi “spektakolar”, siç e quan vetë kryeministri. Kulmi i modestisë…edhe pse jemi të parët në botë, sipas Atij… I penduar për fjalët që ka thënë, mynxyrat që u ka kujtuar shqiptarëve, stresin e jashtëzakonshëm pasoja e të cilit do të shihen më vonë, premtimet e pambajtura për pagat e luftës, për garantimin e bukës së gojës për të gjitha familjet, mbështetjen për biznesin etj., etj., etj. E tani, është momenti ti shumëzojmë me zero, këtë tha sonte kryeministri. Mos ma vini re, ky jam unë! A thua se po fliste të të bijtë, të cilët nuk kanë asnjë mundësi të gjykojnë apo ndryshojnë babanë e tyre.
E tani, Rama me këtë ndjesë publike, futet në fazn e dytë. Mos harroni, prioritet është administrimi sa më i mirë, sa më përfitues, në rrjete sociale, media e në publik i pandemisë. Do të përpiqet të akumulojë më shumë kredite. Nuk është çudi që të lëshojë më shumë edhe dorën, me para apo me ndihma. Njerëzit, edhe fizikisht ndjehen më të lirë nga nesër. Pasi kanë lënë pas izolimin e egër, ku mendohej vetëm për kafshatën kryesisht, tani e daljen jashtë, ka më shumë nevojë edhe për likuiditete. Nuk do të ishte e paparashikueshme që pikërisht në këtë fazë, Edi Rama të hedh paratë që kishte premtuar. Madje, edhe më shumë nga sa ka premtuar. Sepse gradualisht, nga nesër, makineria e lodhur e ekonomisë shqiptare, do të nisë të lëvizë. Gradualisht, por do të nisë, duke gjeneruar edhe të ardhura për financat e shtetit.
Gjatë kësaj faze, nëse në skenarin e përbotshëm nuk është menduar ndonjë devijim i papritur, Rama do të amplifikohet si shpëtimtari, për ata që e mbajnë mend, i krahasuar vetëm me Mao Ce Dunin motit. Ai do të na shpërfaqet gati- gati si Shën Pjetri, që kishte zënë dyert e ferr- parajsës për të mos lejuar asnjë shqiptar, mëkatar ose jo, të merret nga mortja me emrin korona. Sepse besoj se askush nuk mund ta ngrejë më shumë se në nivelin e shenjtorit më të rëndësishëm të një besimi apo edhe “gurit të themelit” siç është Shën Pjetri. Pas Skenderbeut, do të ishte mjaft lart edhe pse mund të ketë bythlëpirës që mund ta krahasojnë edhe më lart se Shën Pjetri…
Në këtë fazë të dytë, Rama do të lutet fort. Do të lutet fort që skema që i kanë thënë të zbatojë, siç edhe të gjithë liderëve të tjerë në botë, të mos ketë ndonjë kapitull të paparashikueshëm. Të tipit, rikthim i papritur i shpejtë i aktivitetit masiv të COVID-19 në vend. Sepse Italia mund ta përballojë, Spanja po, SHBA-të po e po, ndërsa Shqipëria…nuk ka asnjë shans. Përveç se do të shumëzonte me zero “heroizmin” e deritanishëm të kryeministrit, përveç se do të rrezikonte të merrte shumë jetë shqiptarësh për shkak të sistemit shëndetësor të amortizuar thellësisht dhe akoma të papërgatitur pavarësisht çfarë po kalojmë, do të sillte rrezik të lartë edhe për vetë Ramën, pas reagimit të pritshëm e legjitim të shqiptarëve.
Nëse gjithçka do të shkojë mirë për skemën e administrimit publiko- mediatik të fazës së dytë të korona virusit, shqiptarët do të shohin një Ramë më të butë, më të mirëkuptueshëm, ndoshta më shumë para se deri tani, më shumë pako ushqimore se deri më sot e natyrisht, orë pafund komunikimi përmes rrjeteve sociale apo televizioneve. Ajo që mbetet të shohim është: A do ti kthehet e gjitha në një efekt boomerang?! Këto 30 vjet këtë kanë treguar, edhe pse për provën e rradhës, duhet të presim zgjedhjet… /Nga Blerti DELIJA/