Me 4 qershor 2021, Komisioni i Prokurimeve Publike ka pranuar të shqyrtojë ankesën e paraqitur nga Almiro Gurakuqi për ankandin për shitjen e aksiopneve të KF Vllaznia sh.a. Brenda 5 ditëve, Autoriteti Shitës (Bashkia Shkodër) duhej të depozitonte të gjithë dokumentacionin lidhur me ankandin. Me datë 8 qershor 2021, i gjithë dokumentacioni i kërkuar është depozituar në KPP.
Në pikën 2 të vendimit, urdhërohej pezullimi i procedurave të ankandin dhe moskryerjen e asnjë veprimi nga Autoriteti Shitës pa vendimmarrjen përfundimtare të KPP- Komisioni i Prokurimeve Publike. Praktikisht, procedura e ankandit të Vllaznisë është futur në një hulli që askush nuk mund të thotë se kur do të përfundojë.
Ajo që është e qartë është se KPP po shkel haptas ligjin. Në nenin 42, “Procedura e ankimit” të Ligjit Nr. 9874, i ndryshuar “Për ankandin publik”, pika 8 thuhet qartë:
“Me marrjen e ankesës me shkrim të ankimuesit, Komisioni i Prokurimit Publik përgjigjet me shkrim brenda 7 ditëve. Kur për shqyrtimin e ankesës kërkohet informacion nga autoriteti shitës, komisioni përgjigjet me shkrim, sipas përcaktimit në rregullat e ankandit publik, por jo më vonë se 20 ditë.”.
Pra është e qartë se janë shkelur të gjitha afatet ligjore, duke marrë si pikënisje datën 8 qershor 2021. Po mbushet 1 muaj e gjysmë ose gati tre fishi i afatit ligjor të mësipërm. Jo vetëm kaq. Almiro Gurakuqi informoi jo zyrtarisht, duke shpërndarë një dokument për mediat online, se ka paditur në SPAK kryetaren e Bashkisë Shkodër dhe Njësinë e Ankandit. Sigurisht, SPAK nuk ka asnjë bazë ligjore për të shqyrtuar një procedurë, aq më shumë akoma të papërfunduar (pra nuk ka shkaktuar pasojë për paditësin) por mediatikisht krijon “zhurmë” të panevojshme rrotull Vllaznisë.
Nëse vendimi i KPP- së do të jetë kundër Almiro Gurakuqit, ky ka të drejtë në bazë të Ligjit Nr. 9874, i ndryshuar “Për ankandin publik”, neni 44 “Ankimimi në gjykatë” pika 1, ta ankimojë: “Kundër vendimit të Komisionit te Prokurimit Publik ankuesi ka të drejtë që nga njoftimi i vendimit apo plotësimi i afatit të caktuar, sipas nenit 42 të këtij ligji, kur ky Komision nuk ka shqyrtuar ankimin, të bëjë padi për shqyrtim të mosmarrëveshjes administrative në në gjykatën kompetente.”.
Pika 2 e të njejtit nen, nuk pezullon procedurat e ankandit “Shqyrtimi i këtij ankimi në gjykatë nuk pezullon procedurat e ankandit, të lidhjes së kontratës së shitjes publike ose ekzekutimin e detyrimeve, sipas kontratës së shitjes nga palët respektive”. Por gjithsesi, ankandi i Vllaznisë mund të mbetet peng për shumë e shumë javë e muaj dyerve të gjykatave në shkallë të ndryshme.
Nuk ka dyshim se po kërkohet që Vllaznisë të bëhet dëm dhe dëm jo i vogël. Në këtë situatë të krijuar, askush nuk mund të thotë se çfarë do të ndodhë me Vllazninë e sezonit të ri. Pavarësisht të ardhurave të krijuara nga pjesëmarrja në Conference League, KF Vllaznia është shoqëri aksionare publike me prokare Bashkinë Shkodër, e cila duhet të përcaktojë dhe alokojë fondet e nevojshme për mbarëvajtjen e Klubit. Por nga ana tjetër, teorikisht Vllaznia është gjysmë hapi nga kalimi tek privatët, ashtu siç e kërkon ligji.
Dikush/ disa kanë interesa, ndoshta edh skenar për të dëmtuar Vllazninë. Nuk ka asnjlë arsye të vlefshme apo logjikë tjetër për zvarritjen e pakuptimtë të procesit të ankandit nga KPP- Komisioni i Ankandeve Publike. /ShkodraWeb/