Udhëtim me itinerar të çuditshëm, pritje me orë të tëra në aeroport dhe mbi të gjitha nisje që dy ditë para drejt Rumanisë nga Shkodra.
“Panorama Sport” ka arritur të zbulojë se klubi i Vllaznisë ka zgjedhur linjat tranzitore për skuadrën në ndeshjen më të rëndësishme të saj, që do të luhet kundër Universitatea Kraiovës të enjten në orën 19:30.
Të martën në mëngjes, pikërisht në orën 06:20, Vllaznia do të niset nga aeroporti i Rinasit, fillimisht me destinacion Bolonjën në Itali. Në këtë qytet mbërrin në orën 08:00, pra në një udhëtim që nuk shkon as dy orë.
Por, më e keqja është se në aeroportin “Guglielmo Marconi” të Bolonjës, lojtarët dhe stafi kuqeblu janë të detyruar të presin plot gjashtë orë, pasi linja direkte drejt Kraiovës e ka nisjen në 14:30. Avioni duhet të mbërrijë në Kraiovë rreth orës 17:20 dhe praktikisht e gjithë dita për shkodranët është në udhëtim.
Drejtuesit e Vllaznisë nuk prenotuan një çarter për udhëtimin direkt Tiranë-Kraiovë, por linjat tranzitore, në një kohë që UEFA jep pagesa solidariteti që klubet të mos i ndiejnë udhëtimet e gjata.
Mirëpo, me sa duket, bonuset e UEFA shikohen nga klubet shqiptare si shpenzime për rroga dhe merkato, në një kohë që udhëtimeve nuk u kushtohet rëndësi, edhe pse përpara janë ndeshje shumë të rëndësishme.
E njëjta gjë edhe për Tiranën, që do të udhëtojë 8 orë me autobus drejt Bosnjës, ndërsa Laçi e ndau ekipin në dy grupe kur luajti në Moldavi ndaj Petrokubit. Çudira shqiptare, që tregojnë edhe një herë problematikën e klubeve.