![](https://www.shkodraweb.com/wp-content/uploads/2018/02/ramaAdemi2018.jpg?x28643)
Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi i është përgjigjur deklaratave të kryeministrit Edi Rama, që u shprej dje në ceremoninë e konfirmim të Veliajt se më 1 korrik bashkitë e djathta dhe ato të aleatit të djeshëm (LSI-së) do gdhihen në krahun e zemrës, duke nënkuptuar se do fitohen nga mazhoranca.
Për Ademin, qëndrime të tilla nënkuptojnë rikthim në gjurmët e etërve politik dhe biologjik, pasi të kërkosh të fitosh 61 bashki në një kohë që vendi pret përgjigje nga Bashkimi Europian për çeljen e negociatave tregojnë prirjen diktatoriale të Edi Ramës. Në një prononcim për Politiko.al, Ademi i bashkohet thirrjeve të opozitës se Rama është rrezik për të ardhmen e vendit dhe largimi i tij është tani më emergjencë kombëtare.
“Si mund të komentohet ndryshe një deklaratë e tillë në 2019-ën, kur Shqipëria pret një përgjigje për të trokitur në derën e BE-së, komunitetit të kombeve më demokratike në glob?! Ka vetëm një koment: Rikthim në gjurmët e etërve politikë dhe biologjikë. Të kërkosh të fitosh 61 bashki, të kërkosh monopolizimin edhe të qeverisjes vendore pasi ke gllabëruar qeverinë, parlamentin, pushtetin gjyqësor përmes gjoja “drejtësisë së re”, mediat përmes censurës apo autocensurës, do të thotë të ndjekësh gjurmët e diktatorëve si Stalini, Hitleri apo Enver Hoxha. Jemi mësuar me batutat pa kripë të kryeministrit këto kohë, por deklarata e bërë dje tregon prirje të pastra diktatoriale, të cilat jam e bindur se shqiptarët nuk do ti lejojnë. Edi Rama është rrezik kombëtar, largimi i tij është emergjencë kombëtare, qoftë për demokratët, socialistët apo edhe të paangazhuarit në politikë. Prova më e fundit, ishte edhe deklarata e djeshme në palo- kongresin punist të ditës së djeshme”, pohon Ademi.
Kryeministri u kërkoi qytetarëve shkodran të shkojnë në Vlorë dhe të shohin se si ka ndryshuar qyteti jugor nën drejtimin e socialistit, Dritan Leli. Ademi nuk dëshiron të bëjë krahasime mes Shkodrës dhe qyteteve të tjera, por i kujton kreut të ekzekutivit se Vlora është një ndër qytetet më krimininalitet me të lartë në vend, çka ka sjellë largimin në masë të banorëve.
“Shkodra është kryeqendra e Veriut. Me Shkodrën lidhen të gjitha risitë që kanë ardhur në Shqipëri që në kohët më të hershme. Po të doni flasim për patriotizmin, për kulturën, artin, letrësinë, shkencën, alfabetin e sotëm të gjuhës shqipe, sportin dhe mbi të gjitha, qendresën e pashoqe ndaj komunizmit dhe diktaturës 45 vjeçare komuniste. Në këtë kuptim, vështirë të krahasohet kush me Shkodrën për atë që i ka dhënë Shqipërisë e shqiptarëve në shekuj e vite.
Nuk më pelqen ta krahasoj Shkodrën tonë me asnjë qytet apo bashki tjetër të vendit. Unë jam kryetare e Bashkisë së Shkodrës, që çdo ditë të javës jam në kontakt me njerëzit, i takoj, përpiqem tu rri afër, t’ju lehtësoj sado pak barrën e vështirë të jetës. Por nga ana tjetër, përmes mediave, kamë mësuar se homologu i Vlorës, është marrë peng nga grupe kriminale. Vlora mund të jetë një qytet i bukur, por lajmet që vijnë janë të trishta. Vetëm vitin e fundit janë mbi 13 persona të zhdukur dhe mbi 20 në tre vitet e fundit. Dëgjojmë dhe lexojmë çdo ditë për djegie makinash, ngjarje të rënda si vrasjet e plagosjet.
Vlora është një nga qytetet me largimin më të madh të banorëve, për shkak të situatës të rëndë kriminale. Edhe grupet kriminale më të rrezikshme të djeshme e të sotme, e kanë origjinën në këtë zonë. Sidomos për çeshtje që lidhen me bimët narkotike dhe trafikun ndërkombëtar të tyre.
Në këtë kuptim, çfarë duhet ti ketë zili Shkodra- Vlorës? Asgjë. Përkundrazi, Shkodra po përpiqet të ecë, të zhvillohet, të ndryshojë pavarësisht lënies në harresë të plotë prej 6 vitesh nga qevertitë e Rilindjes. Me mundësitë tona, falë mirëmenaxhimit të taksava që paguajnë banorët e Bashkisë Shkodër, falë mbështetjes unanime të Këshillit Bashkiak, ia kemi dalë të investojmë dhe do të vazhdojmë të investojmë. Këto 3 vite kemi mësuar se të gjithë bashkë, ia dalim. Çdo gjë që është bërë, është bërë në sinergji me vetë banorët, ata kanë zgjedhur prioritetet dhe natyrisht Këshilli Bashkiak i ka mbështetur propozimet e ardhura nga administrata. Çdo gjë me përkushtim, si një familje e madhe, me transparencë maksimale tashmë e certifikuar nga organizma kombëtare e ndërkombëtare për 3 vite radhazi”, përfundoi Ademi.
Nuk është vendosur ende nëse opozita do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, megjithatë nëse ndodh, Ademi pritët të konfirmohet sërish nga Partia Demokratike për një mandat të dytë. /Burimi:Politiko.al/