Klubi zvicerian i Grasshopersit ku aktivizohen edhe 2 mbrojtësit e Kombëtares, Arlind Ajeti dhe Bujar Lika ra zyrtarisht nga kategoria, teksa u shpartallua me rezultatin 4-0 nga Luzerni.
Në fakt Grasshopersi do ta humbasë këtë ndeshje në tavolinë, pasi në minutën e 68-të, tifozët miq nuk janë përmbajtur duke thyer rrethimin e stadiumit, teksa janë futur në fushë, për të mos lejuar vazhdimin e ndeshjes.
Pas një takimi me portierin, ultrasit e Grasshopersit kërkuan që lojtarët t’iu dorëzonin atyre fanellat që kishin veshur. Dhe kështu ndodhi. Futbollistët u rikthyen në fushë, dorëzuan fanellat dhe u larguan kokulur.
Pjesë e formacionit titullar në turpërimin e sotëm ishin edhe 2 futbollistët e Kombëtares, Lika dhe Ajeti, ndërkohë që golat për vendasit i shënuan, Eleke (2), Vargas dhe kosovari Voca.