Dy zhvillimet më të rëndësishme të ditës së sotme. Paralelisht, në dy salla të ndryshme dhe me synime të ndryshme. Partia Demokratike mbylli zyrtarisht procesin e ripërtëritjes së strukturave të saj, thuajse pas dy viteve. Edi Rama tregoi se nuk ka shnase të rreshtohet përkrah studentëve dhe përballë pedagogëve siç deklaroi dje në formë presioni ndaj drejtuesve të universiteteve publike.
Partia më e madhe e opozitës ngjiti në krye të “ligjvënësit” të saj një ish- president. Bujar Nishani u zgjodh në krye të Këshillit Kombëtar të PD-së. Qëpas mbarimit të mandatit, Nishani ishtë ndër opozitarët më të ashpër të mazhorancës aktuale, me të cilën në fakt “bashkëjetoi” për 4 vite. Etja për një post politik, ishte më e fortë nga ruajtja e staturës si ish- president i vendit. Madje, jo duke ndjekur shembullin e paraardhësit Bamir Topi, i cili të paktën krijoi një parti të vetën, pavarësisht peshës elektorale. Qënia si president i vendit, u jepte të dyve privilegje të përjetshme por preferuan të futen në rreshtat e politikës partiake edhe një herë.
Një studente “guxoi” të ngrihej në këmbë përballë kryeministrit, në një sallë që duhej të bindte pikërisht studentët se qeveria është e angazhuar totalisht për të plotësuar kërkesat ekonomike të tyre. Nuk arriti të thotë veçse disa fjalë që nuk u dëgjuan veçse në sallë sepse mikrofoni ishte përballë Ramës. E ky i fundit, tregoi se sa për zemër i ka studentët. Fare mirë mund ti thoshte studentes të fliste pasi ai që përfundonte fjalimin e tij të rradhës. Por jo, “dli jashtë”, e përsëritur disa herë dhe në transmetim “live” treguan se kryeministri nuk është i qetë. Mbase kishte “një vesh” në sallën ku opozita e madhe po merrte vendime jo pak të rëndësishme edhe për fatin e Ramës.
Partia Demokratike hodhi sot një hap jo të parëndësishëm. Nuk bëhet fjalë për “çadra”, si ato që i paraprinë zgjedhjeve të 2017-ës. Opozita sot ka treguar se do të kërkojë largimin e Ramës nga drejtimi i qeverisë së vendit. Në bashkërendim me partitë e tjera të opozitës, PD pritet ë nisë protestat popullore edhe pse ka një pikpyetje të madhe: Me çfarë do ti bindë shqiptarët të dalin në shesh? Veç kësaj, PD bëri publik edhe hapin e dytë: Qeveri me bazë të gjërë për zgjedhje të lira e të ndershme, pasi të rrëzohet Rama. A mund të sherbejë si motivim për demokratët e shqiptarët? Analogjia me fillimvitin 2017 është e frikshme. Asokohe kërkohej ekzakt e njëjta gjë: Rrëzim i Ramës, krijim i një qeverie që garanton zgjedhjet. Rezultati? Rama qëndroi kryeministër, mori disa ministra “teknikë” nga PD që dështuan me sukses në misionin e tyre dhe…kryeministri rifitoi pushtetin si “timonier” i vetëm madje.
Në sallën tjetër paralele, kryeministri po tregonte “parajsën” që do të priste studentët falë angazhimit të tij. Në mandatin e dytë të kryetarit të Bashkisë së Tiranës (sipas gjasave, Veliaj, edhe pse nuk i përmendi emrin), studentët mund të shijojnë parajsën e konvikteve që do të bëjnë të turpërohen edhe Gjermaninë… Natyrisht, përveç se në sallën ku ishte mbledhur PD, mendja e Ramës ishte edhe tek nxjerrja jashtë e studentes nga takimi. Me shumë mundësi, është penduar. Hodhi në erë javë të tëra perbetimesh se po punon “vetëm për të mirën” e studentëve. Edhe nëse do të ishte provokim ngritja e studentës në këmbë ndërsa ai fliste, Rama duhej të ruante qetësinë. Mesa duket, në mënyrë të pavullnetshme, truri i tij ka asociuar studenten me mbledhjen e PD-së dhe përfundimi…një shenjë me kokë badigardëve të shumtë në sallë për të larguar vajzën. E në fakt, ajo iku vetë si për ti zbehur kryeministrin të gjithë takimin.
E përballë televizioneve apo rrjeteve sociale, besoj kanë qenë me mijëra shqiptarët këtej e andej kufirit që kanë kthyer vëmendjen nga këto dy salla. Përmes tyre, shpresojnë të vijnë zgjidhja e shumëpritur. E nuk flas vetëm për ithtarët, ata që pavarësisht nëse është shi, borë, breshër apo diell, votojnë me symbyllur një sigël partiake. Flas më shumë për ata që kërkojnë një fije shprese, një ditë në horizont- në mos për ta, të paktën për fëmijët e tyre. Këto dy salla sot nuk afruan asgjë nga e gjithë kjo. Vetëm riciklim. Riciklim njerëzish dhe propagande. Fasadë dhe aspak përmbajtje. Historia vazhdon…presim episodin e rradhës! /Nga Blerti DELIJA/