“Ka zgjedhur tatuazhistin më të lirë dhe më të lashtë të botës”, Ben Blushi rrëfen djalin që shet fruta në plazh

Ky djalë shet fruta në një nga plazhet e jugut. Njëlloj si ai, janë shumë që enden me shporta nëpër cadra. Konkurrenca e frutashitësve është e ashpër dhe përvec cilësisë, freskisë dhe menusë së pasur lipsen edhe disa aftësi të tjera.

Frutashitësit presin poshtë çadrave që fëmijët e vegjël të ankohen për lëngje, që vajzat e reja të digjen për pjeshkë dhe që pleqve diabetikë t’u afrohet ora e luhatjes së sheqerit.


Ata janë të gatshëm t’u ofrojnë të gjithëve pak ëmbëlsi në formën e një fiku që shkëlqen si yll deti, një thanë që ngjan si rubin i kuq, apo një dardhë që mban era parfum.

Ata dinë të sillen si babysitter për fëmijët, si afrodiziak për vajzat dhe si infermierë për pleqtë.

Por që të jenë në formë dhe vazhdimisht të denjë për të marrë pjesë në sfilatat e plazhit, shitësit e frutave kanë nevojë për trajtime estetike të shpeshta.

Ky djalë ishte në orën e tij të trajtimit, kur e fotografova, i ulur nën një çadër me rrjetë, pronarja e të cilës ishte zhytur përkohësisht në det.

Ai po pastronte poret e lëkurës së tij me një si pincë të vogël e cila mesa duket shërben për të nxjerrë jashtë gropave të trupit rërën dhe karbonet e papastra, që natyra derdh vazhdimisht mbi ne.

Natyrisht që seanca e zbukurimit duhet të përmbyllej me një tatuazh masiv sepse si të gjithë djemtë e sotëm, që ekspozohen në plazh, edhe shitësi i frutave duhet të ketë një trup të dekoruar dhe sa më tërheqës.

Meqënëse ai punon dhe nuk ka kohë të frekuentojë sallonet e shtrenjta estetike, ka zgjedhur tatuazhistin më të lirë dhe më të lashtë të botës.

Diellin.

Dielli derdh bojën e vet mbi lëkurën e djalit ndërsa perdja me vija, e shpëndan në mënyrë proporcionale, sikur të ishte një furçë. Asnjë detaj nuk është i tepërt në këtë vepër arti. Aty nuk ka asnjë teprim. Asnjë vijë nuk është më e hollë se vija tjetër dhe asnjë pikë boje nuk është derdhur kot në trup apo nuk ka rënë gabimisht në rërë.

Arti i Natyrës dhe Natyra e Artit janë bashkuar në harmoni të plotë mbi trupin e djalit.

Nëse, për të shtyrë kohën, apo për pak sukses të certifikuar, në plazh do organizohej ndonjë konkurs tatuazhesh, vetëm një manipulim drastik votash mund ta nxirrte djalin në vend të dytë.

Në kushtet e një votimi të rregullt, pa përdorur teknikat e njohura shqiptare, Tatuazhi i Diellit do fitonte me siguri vendin e parë.

Dhe ja pse.

Së pari, Tatuazhi i Diellit është realizuar për disa sekonda,ndryshe nga gjithë tatuazhet e zakonshëm që kërkojnë orë apo edhe ditë e netë të tëra.

Së dyti, Tatuazhi i Diellit nuk ka asnjë dhimbje, nuk kërkon fashim dhe nuk ka derdhur asnjë pikë gjak sic ndodh me gjithë tatuazhet që bëjnë vajzat dhe djemtë nëpër bodrume që ngjajnë më shumë me ambulanca ku ofshamat dhe piskamat shqetësojnë komshinjtë ndërsa fashot e gjakosura mbushin dyshemetë si kanacava të ndotura.

Së treti, Tatuazhi i Diellit është free, gratis, pa çmim, ndryshe nga tatuazhet modeste që kushtojnë disa qindra euro, pa folur për ato masivet që mbushin kurrizet me gojë luanësh, apo me krifa tigrash të tërbuar të cilët mund të kërkojnë mundin e një muaji punë, për të nxjerrë kokën mbi lëkurë dhe për të kallur datën me ulërimat e tyre.

Së katërti, Tatuazhi i Diellit ka aftësinë te zhduket sa herë do. Ai nuk të jep mundësin të bëhesh pishman. Ai ndryshon formë në varësi të çadrës ku je ulur. Ai fshihet dhe rishkruhet prapë sa herë të duash. Asnjë kujtim, asnjë emër vajze apo datë takimi, e shkruar me numra latinë, nuk të mbetet përjetësisht në trup siç ndodh me tatuazhet e rëndomta të cilët disa njerëz detyrohen ti marrin me vete deri në vdekje, sepse kanë përtuar ti fshijnë, për të shmangur dhimbjet dhe zhgarravitjet e pajisjeve të fshirjes mbi lëkurë.

Për të gjitha këto arsye, por edhe shumë të tjera, që tani nuk kam kohë ti rendis sepse do shkoj të lahem, unë do votoja që Tatuazhi i Diellit të zinte vendin e parë në konkursin e plazhit.

Dhe meqë folëm për votime, në të cilat unë kam një farë përvoje, po e mbyll këtë tekst që ngjan si një spot elektoral me thirrjen standarte.

Votoni për Djalin që shet Fruta! /Nga Ben BLUSHI, publikuar në Facebook/