
Kur duhen pak më shumë se dy muaj nga nisja e fushatës elektorale për zgjedhjet vendore 2019, Partia Socialiste po i jep dorën e fundit listës përfundimtare të kandidatëve për krerët e 61 bashkive. Në diskutim janë vetëm disa bashki dhe konsultimet me bazën e partisë dhe testimet për çdo kandidat do përcaktojnë dhe kandidatin më të mirë të mundshëm.
Mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve Partia Socialiste e kishte bërë publike shumë muaj para dhe duket se po afrohet përfundimit të procesit, por ajo që ka ndryshuar, është se lista me kandidatët përfundimtar nuk do prezantohet në datën 23 mars ditën kur PS ka thirrur kongresin e saj, por do prezantohet personalisht nga kryeministri Rama në çdo qark. Duket se në datën 23 mars, PS do ndezë zyrtarisht motorrët për zgjedhjet lokale dhe do prezantojë kandidatët për bashkitë dhe listën e këshilltarëve bashkiakë për qarkun e Tiranës.
Pas Tiranës, do pasojë një tjetër qark e kështu me radhë në të gjitha qarqet, ku vetë kreu i Partisë Socialiste do organizojë mbledhje me strukturat dhe me simpatizantët për t’u prezantuar të përzgjedhurit për secilën bashki të qarkut.
Ndërkohë që socialistët po nisin fushatën, opozita nuk pranon të futet në zgjedhje me Ramën kryeministër. Tashmë jashtë parlamentit dhe pa mandat janë duke rritur presionin me protesta për të detyruar Ramën të japë dorëheqjen dhe të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare me qeveri tranzitore.