Ish- shefi i Diplomacisë, Mustafaj: Gent Cakaj i papjekur, ja kush mund të ishte ministër në vend të Bushatit…

Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj ka folur për një sërë çështjesh nga ndryshimet në qeveri, mos-dekretimin e shkarkimit të Bushatit nga Presidenti Ilir Meta si dhe protestën e studentëve, të cilët janë rikthyer sot sërish në shesh pas pushimeve të dimrit.

I ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24, Mustafaj tha se Rama nuk ka dhënë asnjë argument politik për largimin e Bushatit nga posti i ministrit.

Duke komentuar deklaratat e ish-homologut grek të shprehura për Ditmir Bushatin, Mustafaj tha se argumentet përdorura nga Nikos Kotzias nuk janë në favorin e tij. Për Mustafajn, emri i zgjedhur nga Rama për të pasur Bushatin nuk është një figurë dhe një staturë me profil të qartë. Sipas tij, nëse do të ishte një zgjedhje e duhur në krye të ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, emri i duhur do ishte ai i Veton Surroit.

“Kryeministri duhet te japë argumenta politikë. Shkarkimi i Bushatit, Rama nuk dha argumenta politike. Mata ka shprehur rezerva serioze për dekretimin e Gent Cakajt. Meta mund ta shtyjë drejt reflektimit me Ramën. Janë dy argumente që dha Kotzias, të cilët nuk i shërbejnë Bushatit. E para tha për Kosovën. Mes ministrit dhe Ramës nuk ka patur mosmarrëveshje për Kosovën. Ne nuk jemi në gjendje ta vlerësojmë se sa dinjtoz ka qenë ministri i jashtëm me Greqinë.

Nuk kam asnjë skenar dhe nuk e njoh Cakajn. Unë besoj se duhet të ishte një njeri me shumë ndikim dhe me njohuri. Rruga për negociatat nuk është vetëm çështje teknike, por varet prej shumë agjencive. Nëse do të merrte një personalitet nga Kosova, mund të merrte një njeri të staturës së Veton Surroit.

Nuk kam asnjë kundërshtim në parim, sepse ky është një shtetas shqiptar. Ky e tregon papjekurinë e tij, që kur e pranoi postin. Që këtu e bën aktin e papërgjegjshmërisë dhe e dyta shpërndan kartëvizitën e ministrit. Ka dy hapa kushtetues për të arritur defakto tek posti. Nuk jam i gëzuar dhe duket një papërgjegjshmëri që ka bërë Rama. Zgjedhja e ministres së arsimit është në këtë hulli. Adekuate është vetëm zgjedhja e Erion Brace, të tjerat janë zgjedhje amatore”, tha Mustafaj.

Gjithashtu publicisti shqiptar foli edhe për protestën, ndërsa tha se studentët kanë treguar dhe po tregojnë se janë të palëkundur në kërkesat e tyre. “Studentët janë të vendosur për të arritur objektivat e tyre. Ata janë mosbesues ndaj politikës, por janë mosbesues edhe ndaj grupeve të tjera.”, shtoi ai.