Përshëndetje miq dhe të gjithë ju që në mënyra të ndryshme keni dhënë kontributin tuaj e pazëvendësueshëm duke ju ardhur në ndihmë djaloshit 31 vjeçar nga Shënkolli i Lezhës. E kemi lënë duke u nisur nga Areoporti i Rinasit drejt Milano Malpensa. Gentiani dje (të shtunën) pas orës 18.00 doli nga salla e operimit dhe ashtu siç na tregon vet ai gjithçka ka shkuar në drejtimin e duhur. Nga spitali qe ne italisht quhet “Casa di Cura Privata Malatesta Novello” na bëjnë të ditur se pas operimit te suksesshëm i duhet të qëndroj edhe 7 ditë i shtruar në këtë spital për të përfunduar kurën.
Përveç kësaj ai po vazhdon njëkohësisht edhe fizioterapinë të cilën e ka të domosdoshme në këtë periudhë. Gentiani me tregon në detaje se i duhet të qëndroj pranë këtij spitali edhe dy muaj të tjerë duke bërë kurimin që doktori i ka përshkruar. Nga momenti që ka ardhur në Itali i ka ndenjur afër një djalosh me emrin Eduart Ndoj (mbiemri thjesht koinçidence), banues në Milano, i cili e ka shoqëruar, ndihmuar dhe i ka bërë përkthimet e nevojshme.
Me plot sinqeritet, mall dhe dashuri dua t’ju them se në këtë histori tashmë të suksesshme mund ta quajmë , kush më shumë dhe kush më pak kemi pjesë të gjithë. Mendoj dhe jam i bindur ta ndaj këtë me gjithë ju se nuk ka gjë më të bukur që të krijosh një rrjet bamirësie ku në qendër të vëmendjes, qëllimi i këtij rrjeti është e mira e tjetrit që ka nevojë në rastin konkret.
Prandaj në mbyllje të kësaj historie mbesin falënderimet duke filluar nga Famullia e Shënkollit me famullitar At Salvatore Reino me bashkëpunëtorët e tij, të cilët kanë qenë iniciatorët e kësaj gare solidaritetit per Gentianin. Pa harruar emigrantet nga Amerika, Italia, Greqia dhe nga çdo vend ku kanë dëgjuar apelin e djalit shënkollaxhi. Ashtu edhe puna e palodhur e skuadrës së futbollit FK Shënkolli të cilët sensibilizuan të gjithë. Kapiteni Erjon Mirdita ka shkuar ti bëjë vizitë te spitali ashtu edhe të tjerë që jetojnë në zonën e Çeyenës dhe Emilia Romanja. Dua t’ju rrëfej edhe këtë gjë të bukur që me tregoi famullitari Reino: Ka nga ato familje të cilat i njohim se janë me një mijë halle e probleme të cilat kanë dhënë nga një mijë lekë të reja apo më shumë.
Në emër të Gentianit me zemrën plot falënderim dhe shpresë në një të ardhme më të mirë dëshirojmë edhe ne ti bashkohemi edhe një herë kësaj shprese që kurr nuk vdes.
Falënderojmë mediat që mundësuan shpërndarjen e këtyre apeleve!
Forca Gentian! Jemi të gjithë me ty!
Aleks Vulaj, Legnano, Itali /Kjo letër ka ardhur në redaksinë e ShkodraWeb, e shoqëruar edhe me foto. E botuam pa asnjë ndërhyrje dhe me këtë rast, i urojmë shërim të shpejtë Gentianit/