
Teksa ka marrë rrugën nga vendlindja drejt Tiranës, nuk besoj se do të ketë menduar që sot, në vitin 2013 do të largohej (disa mendojnë përfundimisht) si kryeministër i Shqipërisë, pasi kishte provuar më parë të ishte edhe president i vendit.
Është historia e një njeriu krejt të zakonshëm, e një individi, i cili do të arrinte të ngjitej në piramidën e një vendi shumë problematik siç është Shqipëria. E ka pranuar edhe vetë se ka dalëe nga paradhoma e ish- liderit të fundit, të ndjerit Ramiz Alia. Ndoshta nuk ka qenë asnjëherë misionar i Alisë, por ka pranuar publikisht se është derguar nga ai tek studentët e Lëvizjes së Dhjetorit në vitin 1990. Askush nuk mendonte se kur ai, në sheshin e Qytetit “Studenti” do te deklaronte se “unë do të mbetem një mik i partisë suaj të re”, vetëm pak muaj më pas do i’a rrëmbente PD-në themeluesit Azem Hajdari dhe bashkëthemeluesve të tjerë për ta mbajtur në mënyre stoike deri më 26 qershor 2013, plot 22 vite e gjysmë thuajse pa ndërprerje.
Dikush mendon se kërkoi t’ i ruajë nga hakmarrja popullore, por pasi mori frerët politikë të vendit me 22 mars 1992, ai burgosi edhe “mentorin” e tij Alia e të gjithë ish- nomenklaturën e lartë ish- komuniste. Në vitin 1994 ai hodhi edhe hapin e tij të parë të gabuar, i shtyrë mbase nga formimi i tij në vendlindje apo në genetikën e trashëguar. Tentoi të miratonte një kushtetutë, e cila e kthente vendin në një republikë presidenciale të gjithëpushtetshme. Përgjigjen i’ a besoi sovranit me referendum dhe sovrani i’ a fashiti idenë për të qenë i gjithëpushtetshëm. Në subkoshiencën e tij asnjëherë nuk u shua plotësisht dëshira për të qene “i pari”,“i larti”, “supremi” qoftë brenda partisë, qoftë edhe sa herë ngjitej n ëpushtet. Kam përshtypjen se kjo i buronte nga afërsia si profesionist me ish- nomenklaturën e përkedhelur e të lartë komuniste, ku ai për dhjetra vite shërbeu si mjek – falë përgatitjes së tij të lartë profesionale. Ndikim në hapat e tij të mëpastajmë pati pa dyshim edhe formimi i tij si ish- komunist dhe ish- sekretar i PPSH në një nga spitalet e Tiranës. E vetmja armë e tij, i këqyrur gjithmonë si “i ardhur” në Tiranë, ishte këmbëngulja për të arritur qëllimin, në shumë raste edhe duke shkelur mbi kënaqesitë e pakta të jetës së para viteve’90. Në fakt, i’ a arriti. I’ a arriti deri në vitin 1990, i’ a arriti edhe pas vitit 1990.
Viti 1996 shënoi një tjetër gabim të rëndë të tij, këtë herë “i provokuar” nga rivalët e tij politikë gjatë zgjedhjeve të majit. Fitoi, por rezultati në shumë rajone, kalonte mbi 100%. Ndoshta pa urdhërin direkt të tij, por policët e shtetit të tij, dhunuan në shesh opozitën. Këtu nisi edhe kolapsi shtetëror- politik i tij në vitin 1997. Ishte apo nuk ishte faji vetëm i tij dhe i vartësve të tij, edhe pas 16 viteve, historia nuk arrin ta thotë, por përgjegjësia më e madhe është e tij për trazirat e tmerrshme të vitit 1997. Ndërsa vendi ishte përfshirë në luftë civile, ai kërkoi dhe arriti të marre një mandat të dytë presidencial, të cilin e ndërpreu menjëherë sapo doli në opozitë. Asokohe u tha se “populli e largoi me armë për të mos u kthyer më kurre në pushtet”. Ai qëndroi stoik në opozitë, mbajti gjallë PD-në edhe atëherë kur në mitingjet tek “kali i Skenderbeut” i mbeten t’ i organizonte me vetëm 50- 100 përkrahës. I hoqën imunitetin, e thirrën në gjyq, e arrestuan edhe pse për vetëm pak orë. Tejkaloi edhe humbjen e dytë të njëpasnjëshme të zgjedhjeve në vitin 2001, por sërish vazhdonte të ishte në krye të partisë së tij, edhe pse fraksione herë pas here, tentuan t’i marrin “frerët” nga dora.
U rikthye në pushtet në vitin 2005 duke përzënë një herë e mirë nga politika paraardhësin e tij, me të cilin në fakt, për interesa reciproke bashkëpunoi edhe gjatë 8 viteve të pushtetit të dytë. Me manovrime shifrash e mandatesh, ai arriti të qendrojeë 8 vite si kryeminister, duke përdorur si “paterica” fragmente të së majtës së përçarë. Gjatë 8 viteve si kryeministër, mbi të dhe të përzgjedhurit e tij si bashkëpunëtorë, rëndojnë mjaft akuza qoftë për korrupsion e shifra marramendëse, qoftë edhe për vrasje direkt apo indirekte në shesh. Mbi të rendojnë shumë jetë njerëzish që u larguan nga kjo bote jo në mënyre natyrale. Gjithmone drejtësia shqiptare i dha të drejtë atij dhe bashkëpunëtorëve të tij, edhe pse çdo vendim gjykate paragjykohej dhe pasgjykohej nga rivalët e tij politikë. Me “dorë të hekurt” mbajti për 8 vite mazhoranca të brishta, ekulibroi fryma e fraksione brenda partisë e mazhorancave të tij, lëshoi pe dhe tërhoqi frerët me një nuhatje profesionale si politikan.
Sot është data 26 qershor. Kishte paralajmëruar dorëheqjen në rast të humbjes së zgjedhjeve. Ashtu ndodhi. Doli para mediave, mori përsipër përgjegjësitëe e humbjes, uroi kundërshtarin –fitues të zgjedhjeve të 23 qershorit dhe hapi krahun për të tjerët brenda partisë së tij. Kam përshtypjen se ka qenë momenti më i vështirë i jetës së tij, që nga nisja e ndrojtur nga Viçidoli për t’ u zhvendosur përfundimisht në Tiranë. Vetem nëse…ka një plan tjetër. Pasaardhës “kukull” i përkohshëm, president i përjetshëm nderi apo rikthim me kerkesën e bazës së partisë së tij!? Gjithsesi, akti i tij meriton të përshëndetet, i denjë për çdo ish- shtetar në Europë. Sot nuk është moment të gjykojmë, të analizojmë. Brezi i sotëm është shumë i ndikuar nga imazhi i tij për ta bërë qartë një analizë të tillë, mbase duhet të presim 50- 100 vite për të parë një profil të saktë e të zbardhur të këtij njeriu. U nis nga Viçidoli si një njeri i thjeshtë, i ri me një valixhe të vjetër në dorë. Sot rikthehet në banesën e tij, në mes të kryeqytetit, si një nga njerëzit me influencën me të madhe në jetët tona, të disa brezave në fakt. Për mirë apo për keq, këtë e gjykon secili në mendjen e tij. Kështu e shoh unë jetën e karrierën politiko- publike të Sali Berishës. Mbase nuk ka qenë “burrë shteti”, por të gjithë bien dakord se ka qenë “burrë i fortë”. Shqiptarët më mirë se askush e dinë çfarë do të thotë kjo fjalë. Mbyllet një kapitull i Shqipërisë në 20 vitet e fundit, hapet një tjetër kapitull, ndoshta pa të…ndoshta. /Nga Blerti DELIJA, publikuar me 26 qershor 2013/
Për bashkëpunime, publikime reklamash, njoftimesh në ShkodraWeb, mund të shkruani në SMS, Whatsapp, Viber +355 67 300 20 70 ose mail: info@shkodraweb.com në çdo kohë!