Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi deklaroi në Konventën Kombëtare të LSI-së se ka hapur dyert për të gjithë ata socialistë, të cilët sot ndihen të braktisur dhe të tradhtuar nga Edi Rama dhe sekti i Rilindjes.
“Nuk i hyn më në punë as Partia Socialiste, as kapaciteti i saj, as njerëzit e saj të ditur dhe të mençur. Ishte trishtim i madh për mua si një ish-anëtare e PS që në nëntor të vitit 1991 dhe jo vetëm për mua por dhe shumë socialistë të tjerë që të shikoja Kryeministrin e vendit tim në një samit të rëndësishem për të gjithë shqiptarët, siç ishte Samiti i Berlinit. Dhe të shihja që në krah të Kryeministrit të vendit tim nuk kishte njerëz me reputacion, serioz dhe me eksperiencë qoftë edhe të PS.
Po, krmi i organizuar dhe oligarkia po rrezikojnë demokracinë dhe të ardhmen e shqiptarëve tanë. Madje dhe shumë më shumë se kaq. E keni vënë re tashmë që Ramës i mjafton vetëm krimi i organizuar dhe oligarkia me median e blerë.”.
Kryemadhi tha se krimi i organizuar dhe oligarkia po rrezikojnë demokracinë dhe të ardhmen e shqiptarëve. Kryemadhi tha se për kryeministrin Rama është prioritet bashkëpunimi me krimin e organizuar dhe oligarkët, teksa theksoi se Rama ka braktisur Partinë Socialiste.
“Shqipëria jonë vërtet është e varfër por njerëzit nuk i kanë munguar asnjëherë asaj. Aq më shumë PS. Partia Socialistë meriton shumë më shumë se butaforitë primitive, egocentrizmin e një Kryeministri dhe Kryetari partie në ikje. I cili nuk prodhon gjë tjetër veçse trishtim dhe dëshpërim për shqiptarët. Më lejoni të ftoj të gjithë ata socialistë të tradhtuar, nga idealet e tyre dhe programi i social demokracisë, të cilin Rilindja e ktheu në grabitje të biznese dhe shkatërrimin e shtresës së mesme, ku solidaritetin dhe barazinë njerëzore e ktheu në një gjenocid të heshtur për rininë shqiptare, t’i ftojmë dhe të hapim dyert për të gjithë ata socialistë të cilët janë të drobitur nga shfrytëzimi i pamëshirshëm i sektit të Rilindjes. Dhe ne do të luftojmë së bashku, të gjithë për ta bërë Shqipërinë shtëpinë e shqiptarëve”, tha Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.