Që nga viti 1990, 224 punonjës të Policisë së Shtetit kanë dhënë jetën e tyre në krye të detyrës. Teksa përmend këtë shifër, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj thotë se numri i lartë i dëshmorëve nga radhët e Policisë së Shtetit tregon se përballja me krmin ka qenë e ashpër, e vështirë por edhe heroike. 5 Maji, Dita e Dëshmorëve ka qenë një motiv që ministri i brendshëm Sandër Lleshaj të bëjë një bilanc edhe në rradhët e Policisë së Shtetit. Në një dalje për mediat, Lleshaj ka dhënë shifra konkrete të asaj çfarë ka ndodhr në vite.
“Politika, institucionet dhe shoqëria në tërësi duhet që përballë sakrificës sublime të punonjësve të PSH, të ndalojnë për një çast; të përpiqen të pranojnë faktin e rëndë se 224 punonjës të Policisë tonë janë vrarë nga shqiptarë të mbytur në krim; të bashkojnë forcat kundër krimit, të mbështesin Policinë dhe të bëjnë çdo përpjekje që ky numër shumë i lartë dëshmorësh të mos rritet më kurrë në të ardhmen”, theksoi ai gjatë një aktiviteti me rastin e Ditës së Dëshmorëve.
Lleshaj premtoi se Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit do të zbatojnë një program të gjerë masash në shërbim të familjeve të dëshmorëve të Atdheut, duke shtuar se qeveria shqiptare do të vijojë thellimin e masave për mbrojtjen ligjore të punonjësve të Policisë së Shtetit.
“Ndryshimet e pritshme të Kodit Penal do t’i ashpërsojnë më tej dënimet ndaj atyre që tentojnë të cenojnë punonjësit e Policisë së Shtetit në krye të detyrës. Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë për një Polici dinjitoze, të mirë përgatitur, të mirë pajisur, të mirë trajtuar, e cila i bën roje me besnikëri sigurisë publike”, nënvizoi ministri.