“Granatat e gazit iu huazuan Shqipërisë me pëlqimin e Ministrisë së Brendshme”, vjen konfirmimi nga Policia e Kosovës

Policia e Kosovës ka konfirmuar vërtetësinë e lajmit të publikuar nga “Insajderi”, se gazi lotsjellës i përdorur nga policia shqiptare për të ‘shtypur’ protestat e opozitës janë marrë nga Kosova.


Në një reagim për mediat, policia e Kosovës thekson se huazimi i gazit lotsjellës është bazuar në marrëveshjen e bashkëpunimit mes dy institucioneve policore dhe kjo ka marrë aprovimin e dy ministrive kompetente.

Policia e Kosovës pohon se është marrë mendimin e Zyrës Ligjore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, po ashtu dhe është dhënë pëlqimi i kompanisë që prodhon gazin lotsjellës.

“Policia e Kosovës, përmes këtij informacioni zyrtar, informon opinionin publik dhe mediat lidhur me huazimin e gazit lotsjellës Policisë së Shtetit të Shqipërisë që është realizuar në vitin e kaluar.

LEXONI EDHE: DOKUMENTI – “500 granatat për të shtypur protestuesit e opozitës i mori nga Policia e Kosovës”, media kosovare: Sandër Lleshaj gënjeu

Huazimi i gazit lotsjellës fillimisht është bazuar në Marrëveshjen e Bashkëpunimit në mes të dy institucioneve policore, si dhe mbi pëlqimin e realizuar nga të dy ministritë kompetente, ajo e Punëve të Brendshme dhe e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës.

Në aspektin ligjor paraprakisht janë marrë mendimet pozitive edhe nga ana e Zyrës Ligjore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të RKS-se dhe e Policisë së Kosovës, përfshirë edhe pëlqimin e dhënë nga ana e kompanisë prodhuese të gazit lotsjellës.

Bazuar në procedurat e parapara ligjore, marrëveshjen e bashkëpunimit të hartuar mbi bazën ligjore, pëlqimin dhe autorizimin e ministrive kompetente, pëlqimin e kompanisë dhe mendimin pozitiv të zyrave ligjore, është bërë huazimi i gazit lotsjellës.

Mbi bazën e bashkëpunimit ndërinstitucional, me shtetet fqinje në këtë rast jo vetëm me Shqipërinë, Policia e Kosovës shkëmben personel policorë, patrullime dhe trajnime të përbashkëta si dhe pajisje logjistike sipas nevojës.

Policia e Kosovës, inkurajon mediat dhe gazetarët që para publikimit të informacioneve, t’i drejtohen policisë, për sqarimin e informacioneve dhe marrjen e informatave zyrtare, në mënyrë që të ketë informim të drejtë të opinionit publik, sepse të gjitha veprimet e ndërmarra janë realizuar sipas ligjeve në fuqi”, thekson Policia e Kosovës.