Marash Kumbulla është futbollisti i radhës nga Shqipëria që do të luajë në Serinë A sezonin e ardhshëm. Mbrojtësi 19-vjeçar i Helas Veronës, është pjesë e rëndësishme e skuadrës dhe ka nisur të marrë vazhdimisht minuta në ndeshjet miqësore.
Në një prononcim për mediat italiane, Kumbulla ka folur për sezonin e ardhshëm e njëkohësisht për sezonin që lamë pas, ku dëmtimet e kanë penguar jo pak të jetë në formën më të mirë. Megjithatë, besimi te Kumbulla është i madh se ky do të jetë sezoni e tij dhe se do të ketë shansin të tregojë vlerat.
“Kemi punuar shumë për t’u rikthyer dhe trajneri ka insistuar për të na ngulitur mentalitetin e tij që nga dita e parë. Po mundohemi të zbatojmë idetë e tij në fushë dhe mund të them se kemi parë shumë gjëra pozitive. Verona do të luajë dhe do të sulmojë ndaj çdo kundërshtari për të marrë atë që do. Unë dua të ngrihem më shumë pasi dëmtimet në sezonin e fundit, nuk më lejuan të jap më të mirën, por tani do të luaj shansin tim.
Në Seria A do të ketë skuadra të forta por ne do të luajmë ndaj të gjithëve dhe duam të bëjmë sa më shumë pikë të jetë e mundur. Ka shumë futbollistë të rinj që janë shumë të mirë, por ka edhe me eksperiencë. Kam dëshirë të madhe të kaloj problemet që kisha vjet dhe të punoj fort e të luaj kartat e mia për të ndihmuar skuadrën”, u shpreh Kumbulla. /VipSport/