Duke përsëritur faktin se fundi i Ramës është i afër dhe do të jetë shumë i rëndë, ish-kryeministri Sali Berisha i është drejtuar sot me një thirrje të fortë socialistëve të largojnë një orë e më parë Ramën dhe klikën e tij.
“Cdo gjë ka një fund dhe ky fund është i afërt, me këtë rast unë u bëj thirrje, socialistëve, në interesin më të mirë të tyre dhe të vendit të largojnë me urgjence Edi Ramën dhe klikën e tij nga pushteti pasi e them absolutisht me bindjen më të thellë se urrejtja ndaj Ramës dhe regjimit të tij bëhet cdo ditë e më e pakufijshme. Unë kam konstatuar më datë 16 dhe dje në masat e gjera protestuese atë urrejtje që e kam takuar vetëm në 1990-91 ndaj diktatorëve dhe diktaturës. Në këto kushte u bëj thirrje socialistëve mos e nënvlerësoni situatën se dënimi, mbarëpopullor për Ramën po afron e do të jetë i sigurtë e tepër i rëndë, t’i thërrasin mendjes”- tha Berisha.
Pyetur për apelin e SHBA dhe ndërkombëtarëve, Berisha ka deklaruar se kancelaritë e huaja duhet të vijnë e të shohin realitetin në vend.
“Ata nuk kanë qëllime të këqija, por të vijnë të shohin një realitet që do të jetë në shumë aspekte krejt tjetër”- tha ai.
Ish-Kryeministri Sali Berisha e quan situatën në vend tejet të rëndë dhe në kushtet e një grushti shteti. Në një prononcim për mediat, pyetur për përgjigjen e Ramës se nuk do të ketë asnjë qeveri tranzitore, deklaroi me siguri se nuk do të ketë zgjedhje me atë kryeministër.
Ai theksoi se opozita po përgatitet për zgjedhje, por jo me Ramën kryeministër. “Opozita po bën përgatitje të ethshme për zgjedhje, por zgjedhje me Ramën në vend nuk do të ketë më, ju garantoj”.
Teksa ka përsëritur thirrjen për largimin e Ramës, Berisha shtoi: “Unë kam dhënë dorëheqjet e mira, por Rama është kufomë politike, duhet të largohet nga skena se do ta përzënë në mënyrën më të paimagjinueshme, i them imagjinata e njerëzve sot është e jashtëzakonshme, ka 6 vite që poshtëron shqiptarët, vjedh e lidhet me krimin, tani ik, ik dhe vetëm ik”.