Siç ishte paralajmëruar, ditën e sotme në mjediste e stadiumit “Loro Boriçi” u bë prezantimi i stafit të ri drejtues teknik të Vllaznisë. Prezantimi është bërë nga Drejtori Sportiv Matko Djarmat. Ndërsa janë konfirmuar ndihmësit e mëparshëm të trajnerëve tek Vllaznia, Safet Osja si zëvendëstrajner dhe Ideal Lekiqi si trajner i portierave, surprizë është emri i Elvis Plorit. Ish- trajneri i Besëlishjes me të cilën Vllaznia u ndesh dhe fitoi duke siguruar qendrimin në Superligë, është prezantuar si trajner i parë.
Trajneri i ri I Vllaznisë, Thomas Brdaric e ka nisur prezantimin e tij në stolin kuqeblu duke folur shqip. “Mirëdita, si jeni?”, ju është drejtuar ai gazetarëve të pranishëm, duke falenderuar drejtuesit për besimin e dhënë, ndërsa ka shprehur besimin se do bëjë një punë të mirë me stafin e tij.
Gjithashtu te Vllaznia është prezantuar edhe stafi që do të ketë në dispozicion trajneri gjerman, me Plorin, Lekiqin dhe Osjen që do jenë përkrah drejtorit sportive Matko Djarmati.
“Faleminderit për besimin dhe shansin që po më japin. Pa ata të dy nuk do të isha sot këtu. Ka një javë që zhvilloj takime dhe diskutoj si do të shkojë Vllaznia përpara nga sot. Çfarë keni menduar ju gazetarët për Vllazninë, mendoj se jemi në një linjë. Jam i sigurt, do të jemi gati për objektivat e sezonit që vjen.
Nuk kemi kohë të mjaftueshme, por do të fillojmë që sot me projektin që kemi. Faleminderit që më keni besuar, faleminderit për stafin që do të punojë me mua. Faleminderit të gjithëve. Në ditët e fundit që jam këtu, kam ndier ndihmën e të gjithë njerëzve. Për çfarë kam ardhur këtu? Do të provoj të ndërtoj një skuadër të suksesshme dhe të ecim përpara. Për çdo gjë nevojitet kohë. Duhet të kemi durim për ato që do të bëjmë këtu. Nuk është koha për llafe të mëdha, por për punë.
Përmbajtja është kryesore, edhe mënyra si do të punojmë. Unë kam ardhur për këto te Vllaznia. Ajo që është kryesore, duhet besimi. Do provoj të ndryshoj, do të jetë energji e re për ju gazetarët, stafin që punon me mua. Gjëja kryesore është disiplina dhe besueshmëria reciproke. Me gjithë stafin tim, njerëzit që janë afër klubit, nëse punojnë me të njëjtën mënyrë si unë, jam i sigurt për suksesin në fund.
Do të krijoj harmoni në skuadër. Do të luajmë një futboll me tranzicion të shpejtë. Kam shumë qejf lojtarët që luajnë për ekipin e jo për veten. Do suportoj çdo njeri dhe lojtar në klub, që ka një filozofi pune si unë. Shpresoj të mendojnë të gjithë vetëm pozitivisht. Unë do të jap maksimumin, do transmetoj pozitivitetin dhe entuziasimin tim në klub, edhe te tifozët.
Vllaznia prej 8 vitesh lufton për mbijetesë? E di ku kam ardhur, edhe se çfarë ka ndodhur përpara. Më besoni, nuk më intereson e kaluara. Çdo gjë do të jetë një rrugë e re”, tha Brdaric.
Përherë të parë në këto vite, është vendosur edhe pozicioni i kryetrajnerit, i cili i është besuar gjermanit Thomas Brdariç. Interesante është të mësohet edhe ndarja e detyra brenda stafit teknik, kur tashmë janë katër persona, bashkë me Drejtorin Sportiv bëhen pesë, që do të administrojnë pjesë teknike të Vllaznisë. Është momenti që t’u urojmë punë të mbarë dhe sa më shumë suksese për Vllazninë tonë!