Në ditët e fundit të prillit ndërroi jetë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërsa në ditët e para të korrikut ajo prehet në vendlindjen e saj dht të parëve, në Shkodër. Lume Juka, një nga aktivistet më të shquara të diasporës në SHBA, është nderuar sot me një pritje- homazh në qytetin e Shkodrës.
Ishin të pranishëm të afërm, autoritete vendore, figura të fushave të ndryshme etj. E pranishme ishte edhe kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, e cila lidhur me këtë aktivitet, ka bërë edhe një publikim në faqen zyrtare në Facebook.
PUBLIKIMI I VOLTANA ADEMIT
Bija e Shkodrës, Lume Juka rikthehet në tokën e saj dhe të parëve për tu prehur përjetësisht!
U largua nga Shqipëria në moshën 11- vjeçare, kur vendi ra nën pushtimin komunist për të ardhur sërish për herë të parë vetëm në vitin 1995.
Lume Juka ishte një aktiviste e njohur në komunitetin shqiptar në Amerikë në shoqatën Vatra, në Komitetin Shqipëria e Lirë, në faqet e gazetave dhe revistat nacionaliste të Diasporës, e veçanërisht në gazetën “Dielli”.
Gjatë 30 viteve të fundit të jetës së saj ajo ishte e përkushtuar si Motër e Urdhrit të Nënë Terezës, dhe punoi gjithmonë duke përcjellë filozofinë e Nënë Terezës.
Së bashku me motrën e saj studiuesen e njohur Safete Juka kanë qenë promovuese të vlerave, kulturës dhe historisë shqiptare në SHBA.