Nëntë vjet më parë Shkodra dhe mbarë Shqipëria, do të merrnin lajmin e kobshëm se një pastor, në zemër të qytetit më të madh verior, do të binte si viktimë e gj.akmarrjes. Dritan Prroj do të duhej “të paguante” në emër të një fenomeni mesjetar që akoma në shumë pjesë të vendit, ka më shumë forcë se ligji e madje Kushtetuta.
Sot, 9 vjet më pas, Dritani vazhdon të mungojë por vazhdojnë me këmbëngulje shpërndarjen e mesazheve të paqes familjarët, të afërmit, miqtë e të njohurit. Sidomos bashkëshortja Elona, por edhe dy fëmjët që Dritani i la fare të vegjël. Është një ditë e veçantë sepse Bashkia e Shkodrës po i njeh zyrtarisht kontributin Dritanit, duke e nderuar me titullin e lartë “Mirënjohje”.
Fizikisht, Dritani mungon por vazhdon të jetojë përmes Elonës dhe fëmijëve, prindërve, vëllezërve e motrave dhe jo vetëm atyre të gj.akut por edhe të besimit. Titullin e akorduar nga Këshilli Bashkiak e dorëzoi kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi, e cila nuk i fshehu dot emocionet e saj. Me këtë titull, nga sot Dritani kthehet në një simbol shprese, në një klithmë për ndihmë, mbështetje, për të gjithë ata që në një mënyrë ose një tjetër vazhdojnë të vuajnë nga ai fenomen, që padrejtësisht, mizorisht e hoqi nga ne pastorin Prroj. /ShkodraWeb/