
Shkodra është ndarë sot me një nga emrat më të mëdhenj të muzikës popullore qytetare shkodrane. Shyqyri Alushi u përcoll sot për në banesën e fundit, pasi qëndroi edhe për rreth dy orë në hollin e teatrit “Migjeni”, këtij tempulli të kulturës shqiptare që i dha si pak kush tjetër.
Qindra qytetarë të Shkodrës, Malësisë së Madhe, Pukës, Vau- Dejësit, Lezhës por edhe të tjerë nga Tirana e më larg, i dhanë nderimet e fundit Shyqyri Alushit që iku nga kjo botë në moshën 85 vjeçare.
Nuk ka munguar as vlerësimi nga Bashkia e Shkodrës, e cila e kishte shpallur para 20 viteve “Krenaria e Qytetit”. Kryetarja e Bashkisë Voltana Ademi ka bërë homazhe dhe ka vendosur kurora me lule.
Orët e fundit të Shyqyri Alushit në hollin e teatrit “Migjeni” u shoqëruan nga zëri i tij, në interpretimin e këngëve që rritën e argëtuan breza të tërë dhe që do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
Lamtumirë Mjeshtër i Madh i këngës, lamtumirë i fundmi i Ahengut Shkodran!