FOTO – Degradimi i Urës së vjetër të Bunës, ish- deputeti i Shkodrës kërkon ndërhyrjen e qeverisjes vendore…

Shkruan në Facebook Romeo GURAKUQI, ish- deputet i PD- së për Qarkun Shkodër: Ura e vjetër e Bunës është në një degradim të përditshëm dhe të rrezikshëm për kalimtarët. Jemi në kulmin e sezonit turistik dhe mungesa e vëmendjes së autoriteteve është e papranueshme.

Nuk duhet pritur më e keqja për t’u zgjuar. Ministria e Mbrojtjes, që kreu rikonstruksionin, i ka mjetet në dispozicion për ta rregulluar edhe një herë, brenda ditës, por autoritetet krahinore i kanë mundësite financiare për të vendosur, brenda natës, 30 dërrasa dhe për të monitoruar sigurinë e kësaj arterie të rëndësishme.


Nëpër këtë urë kalojnë çdo ditë për në pjesën e bregut liqenor, mijëra qytetarë të Shkodrës dhe turistë të huaj.

Ndërkohë që presim restaurimin e Urës së Vjetër të Bahçallëkut, ne, qytetarët e Shkodrës, kërkojmë mirëmbajtjen e Urës së Vjetër të Bunës, pastrimin e bregut liqenor, kontrollin e përpunimit të mbeturinave të restoranteve përgjatë gjithë nyjes ujore, kontrollin e ndërtimeve në hapësirat publike dhe ndaljen e zaptimeve të pronave private.