Një autobus me pikënisje Genovan e Italisë dhe destinacion Duseldorfin në Gjermani, është përplasur me një mur, në një autostradë, pranë Zyrihut, në Zvicër. Në këtë incident, një grua humbi jetën dhe 44 persona u plagosën.
Sipas mediave lokale, ka dhe shqiptarë janë në mesin e personave të dëmtuar. Prestigjiozja zvicerane “Blick” saktëson se dy shqiptarë kanë mbetur të plagosur. Aksidenti u shënua pak para orës 4:15, duke sjellë edhe bllokimin e autostradës ku ndodhi përplasja.
Identiteti i viktimës ende nuk është bërë i ditur dhe midis të lënduarve, të paktën tre persona, përfshirë edhe shoferin e autobusit, kanë pësuar lëndime serioze. Shkaqet e aksidentit janë të panjohura për momentin.