Stabilimenti i përpunimit të peshkut ” Posseidon” me administratore një shtetase italiane, prej vitesh është shdërruar në një kërcenim serioz për banorët e Shëngjinit por edhe turistët.
Kundërmimi i rëndë që përhapej çdo ditë nga shkarkimet e ujrave dhe mbetjeve në rrjetin e largimit të ujrave të zeza, bllokonte frymëmarrjen e banorëve dhe turistëve.
E ndodhur në qytet në anë të rrugës kryesore, ishte e turpshme teksa shikoje turistë të huaj të vendosnin maska rrethanore, ndërsa kalonin në qytet, çdo sezon turistik. Atëherë kur Covid- 19 nuk ekzistonte, për banorët dhe tutistët më i rrezikshëm ishte virusi “Posseidon”.
Pavarësisht se banorët ishin ankuar disa herë në institucionet qëndrore, rajonale e lokale, si edhe e kishin ngritur shqetësim në cdo takim elektoral asnjë, nuk e kishte vënë “ujin në zjarr” për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi shumë vjeçar. Ndërkohë me sa duket problemi u fut në rrugen e zgjidhjes.
Burime zyrtare nga Policia e Shtetit kanë bërë të ditur se specialistët në Komisariatin e Policisë Lezhë proceduan penalisht shtetasin G.Alcani 37 vjeç, banues në Ishull Lezhë. Shërbimet e Policisë dhe IKMT-së, gjatë kontrollit konstatuan se fabrika e përpunimit të peshkut “Posseidon” në qytetin e Shëngjinit shkarkonte mbetjet në rrjetin e kanalizimeve të ujrave të zeza dhe të bardha të ujësjellësit në Shëngjin.
Sipas komunikatës zyrtare për shtyp të Policisë së Shtetit mësohet se IKMT-ja e ka gjobitur subjektin me masë administrative 500 mijë lekë (të reja) si dhe do të ndërpresë lidhjen e stabilimentit me rrjetin e kanalizimeve.
Kjo masë e marrë në prag- fillimi të sezonit turistik do të jetë një zgjidhje për këtë problem shumëvjeçar jo vetëm për komunitetin por edhe turizmin për të cilin deri më dje të gjithë titullarët dhe dikasteret kanë heshtur përpara këtij realiteti, ku sipas banorëve administratorja italiane siç dukej i kishte shtrirë tentakulat në të gjitha hallkat, pa i hyrë “gjemb në këmbë”.
Banorët falenderojnë policinë e shtetit dhe IKMT-në për zgjidhjen e ofruar, duke shpresuar që derdhjet e mbetjeve nga kompania të mos vijohen në një tjetër drejtim për të shkaktuar ndothe mjedisore. /Nga Lindita KOKAJ/